Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka bërë thirrje për unitet brenda partisë pas zhvillimeve të fundit, duke theksuar se demokracia nuk përfundon me procesin e votimit, por vazhdon me ruajtjen e njëri-tjetrit dhe të vetë subjektit politik.
Përmes një reagimi publik, Kica-Xhelili u shpreh se demokracia është e plotë vetëm kur anëtarët jo vetëm që flasin dhe votojnë lirshëm, por edhe dinë të qëndrojnë së bashku pas vendimmarrjes.
“Demokracia nuk është e plotë vetëm kur secili flet dhe voton lirshëm, por edhe kur, pas votës, dimë ta ruajmë njëri-tjetrin dhe LDK-në. Tani është koha që energjinë argumentuese, jo rrallë të drejtuar dhimbshëm përbrenda, ta kanalizojmë në betejat që na presin jashtë. Kosova ka shumëçka për të ruajtur në demokracinë e saj të brishtë. I takon LDK-së, si demokracia më e konsoliduar partiake në vend, ta marrë përsipër këtë përgjegjësi”, ka shkruar Kica Xhelili në Facebook..






