Ish-deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) deri sonte në orën 24:00, duke kërkuar që Këshilli Drejtues të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të përkohshme, shkruan Scanner.
Kjo kërkesë e tij vjen pasi PDK kërkoi nga Presidentja, që Ligji për Specialen të rikthehet në Kuvend!
Haxhiu ka theksuar se kryesia e përkohshme duhet ta udhëheqë partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar ashpër, siç është shprehur, përdorimin e çështjeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe fatin e krerëve të saj për interesa politike.
“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai ka kërkuar përgjegjësi dhe vendime konkrete, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen për drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
“Me UÇK-në, me çlirimtarët. UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka përfunduar Haxhiu.
Postimi i plotë:
Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00.
Këshilli Drejtues duhet të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të provizore, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd.
Këto janë çështje që prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit tonë dhe dinjitetin e shtetit tonë.
Kërkesa është e qartë, dorëheqje sonte, mbledhje e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve.
Është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete.
Me UÇK-në, me çlirimtarët.
UÇK-ja është krenaria jonë.
Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!






