Kërkesa e kalkulime në presion të afatit, PDK do shpejt ndryshimin e ligjit për Specialen, LVV thotë së pari zgjedhja e Presidentit

- Advertisement -

PDK-ja po kërkon që të ndryshohet urgjentisht ligji për Gjykatën Speciale pas dënimit në shkallë të parë të ish-krerëve të UÇK-së. Kanë mbetur më pak se një javë për t’i dhënë përgjigje propozimit të kësaj partie, i cili po shqyrtohet në Qeverinë e udhëhequr nga LVV-ja, pasi Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në një aktgjykim të fundit se afati për zgjedhjen e Presidentit “përfundon më 6 tetor 2026”. Nëse nuk zgjidhet Presidenti deri atë ditë, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje. Tani duket se LVV-ja kërkon që së pari të zgjidhet çështja e Presidentit, pastaj ajo e ndryshimit të ligjit për gjykatën në Hagë. PDK-ja kërkon saktësisht të kundërtën.

Aktgjykimi i Gjykatës Speciale, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim në shkallë të parë më 16 shtator, u konsiderua gjerësisht si i padrejtë në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës miratoi dje një deklaratë lidhur me dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku ndër tjerash, konstatohet i papranueshëm përfundimi i trupit gjykues për “ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal”.

Më herët, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, për t’iu kundërvënë kësaj që ata e quajnë padrejtësi dhe konsiderojnë se po i prekë themelet e shtetit të Kosovës.

Ndërsa propozimi, siç ndodh zakonisht, po trajtohet në Ministrinë e Drejtësisë për një mendim nga Qeveria, PDK-ja ka kërkuar që ai të sillet sa më shpejt në Kuvend për miratim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha sot në një konferencë për media se Kuvendi duhet ta nisë sa më parë “procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara” dhe “Qeveria s’guxon ta zvarris këtë proces”.

“Ligji tashmë është në Qeveri. Kuvendi e ka kryer punën e vetë. I bëjmë thirrje që ta kthej sa më shpejt në Kuvend”, tha ai.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se duhet të binden se kjo nismë “e ndihmon procesin”.

Rrustemi tha sot në KosovaLive në T7 se LVV-ja “nuk është kundër” ndryshimit të ligjit dhe se përmbajtja nuk ka rëndësi “nëse do ta bindnim njëri-tjetrin që kjo e ndihmon minimalisht procesin”.

Ai tha se duhet analizë për këtë dhe për “rreziqet eventuale të kësaj nisme”.

“Gjykata Speciale e ka edhe Gjykatën e vet Kushtetuese. Ata mund ta trajtojnë këtë nismë. Mund ta betonizojnë heqjen dorë nga sovraniteti i shtetit, kur e kemi themelu këtë Dhomë të Specizlizuar”, tha ai.

Lidhja me çështjen e Presidentit

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në një aktgjykim të fundit se afati për zgjedhjen e Presidentit “përfundon më 6 tetor 2026”. Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së tha se çështja e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të lidhet me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

“Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Qysh kemi bërë ftesë në të kaluarën, bëjmë ftesë prapë të mbërrihet konsensusi. Por ligji e tejkalon. Ligji është obligim kombëtar i yni. Obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që do të vijnë”, tha Arian Tahiri.

Por deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi thotë se këto dy çështje “tashmë janë të ndërlidhura në mënyrë të pandashme”.

“Sot është e martë, sot një javë përfundon afati për Presidentin. Të mërkurën e javës së ardhshme kush do të merret me betejën me Hagën? Ne do të fillojmë fushatën zgjedhore duke akuzuar njëri-tjetrin”, tha ai në KosovaLive.

“A u ndihmojmë atyre me një betejë të tillë? Nuk u ndihmojmë. Prandaj është tepër me rëndësi të dakordohemi për Presidentin”, tha Rrustemi.

Rrustemi tha se “një beteje të tillë kaq të rëndësishme të shtetit të Kosovës me Gjykatën Speciale, duhet t’ia heqim nga qafa rrezikun e shkuarjes në zgjedhje”.

Mimoza Kusari – Lila, kryetarja e Alternativës, partisë partnere të LVV-së në Qeveri, tha se për t’i evituar zgjedhjet, “e para dhe më e rëndësishmja është që partitë të kenë një konsensus për një kandidat konsensual” për President. Pastaj, ajo tha se “të gjithë bashkë” duhet të punojnë në ligjin për Specialen.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka frikë se qëllimi i LVV-së mund të jetë shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja parlamentare. Ai tha në konferencën e pëbashkët për media me bashkëpartiakun e tij Arian Tahiri se “siç duket ky është qëllimi”.

“Nuk mund të mos paralajmërojmë që është e papranueshme, është tërësisht e papranueshme që të lejojmë që ky Kuvend të shpërndahet – se siç duket ky është qëllimi. Shpresojmë të mos jetë ashtu, të shpërndahet më 6 tetor pa e trajtuar këtë ligj”, tha ai.

Gruda tha se nëse nuk miratohet propozimi i tyre për ndryshimin e ligjit për gjykatën në Hagë, “është një gjë që nuk do t’i falet kësaj gjenerate politike”.

Nëse nuk miratohet ky propozim, Gruda tha se në fund “do ta dimë kush po e pengon dhe kush po e shtyn tutje këtë çështje”.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos e zvarris procedurën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Çka propozoi PDK-ja

PDK-ja më 21 shtator e dorëzoi në Kuvend projektligjin me ndryshimet e propozuara në Kuvend më 21 shtator, ndërsa Qeveria e pranoi për mendim më 25 shtator dhe ka afat 30 ditë për t’iu përgjigjur Kuvendit.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh, ndër tjerash edhe ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

Ky propozim kërkom edhe ndryshime lidhur me juridiksionin territorial, duke e kufizuar në veprat që mund të jenë kryer brenda territorit të Kosovës.

Ndryshimet parashohin edhe procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe kërkohet që palët të mund të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë, ndër të tjerash.

Që prej 16 shtatorit, kur u shpall aktgjykimi dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë po protestohet çdo natë. Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës: shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së; si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e tyre.

Gërvalla është kritikuar për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit të Speciales dhe për deklaratat e saj të dikurshme se do të dërgonte prova në këtë gjykatë./Express/

Të ngjashme

Të fundit