Marsela Çibukaj është fituesja e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në Tv Klan. Pirro Çako i dorëzoi kupën triumfueses, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.
“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e Këngës Magjike, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, tha artistja mes emocioneve.
Vendi i dytë shkoi për Michela Palucan me këngën “Një Përqafim”, ndërsa në vendin e tretë u rendit Anxhela Peristeri me këngën “Kalimtar”.
Pas 3 mbrëmjesh gare, në skenën e Pallatit të Koncerteve mbrëmjen e kësaj të shtune, në këtë Grand International Final u ngjitën 23 artistë, 13 shqiptarë dhe 10 të huaj.
Veç çmimit të madh u dhanë çmime edhe për muzikën më të mirë shqiptare, të huaj dhe për artistët e rinj më të mirë.
Në këtë mbrëmje finale nuk munguan të ftuarit surprizë, si kryetari i Bashkisë së New York, Eric Adams apo producenti i famshëm amerikan Angelo Doc Velasquez. Ndërsa një performancë speciale përcolli edhe vajza e Ardit Gjebreas, Anna Gjebrea.
“Kënga Magjike 2022”, lista e plotë e fituesve
“Kënga Magjike” në Tv Klan kurorëzoi fituesit e saj të edicionit të 23-të.
Çmimi i madh shkoi për Marsela Çibukaj, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”. Këngëtarja fitoi gjithashtu në kategorinë “Big Artist”.
Fituesja e vendit të tretë u shpall Anxhela Peristeri me “Kalimtar”. Një triumf i madh ishte për artisten Michela Paluca, një zbulim i rubrikës “Mam, po ti?” nga “E diela shqiptare”, e cila fitoi vendin e dytë.
4 kupa të tjera u ndanë për artistët shqiptarë dhe të huaj në kategoritë “Big” dhe “New”.
Marsela Çibukaj – fituesja e “Kënga Magjike 2022”dhe kategorisë “Big Artist”.
Michela Paluca – fituese e vendit të dytë
Anxhela Peristeri – fituese e vendit të tretë
Martin Pano – Best New Artist
Mamagama – Best New International
Le Deva – Big International