Gazetari dhe autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka deklaruar se beson se fushatat negative në rrjetet sociale, të cilat i atribuon Lëvizjes Vetëvendosje, organizohen me dijeninë dhe udhëzimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
I ftuar në emisionin “VV Show”, Kelmendi iu përgjigj një pyetjeje të gazetarit Vehbi Kajtazi nëse Albin Kurti është organizator i fushatave negative në Kosovë.
“Sado e thjeshtë që është përgjigjja, ajo ka vetëm dy shkronja. Unë them se po. Besoj se asgjë nga ajo që shohim të ndodhë nga Lëvizja Vetëvendosje, sidomos këto fushata që janë të orkestruara, nuk do të bëhej pa të. Këtu pajtohem plotësisht me ish-presidenten Vjosa Osmani. Jo vetëm pa bekimin ose pranimin e zotit Kurti, por edhe pa instruktimin e tij nuk bëhen këto”, deklaroi Kelmendi.






