Me fitoren brenda Partisë Republikane në garën për nominimin për president, Donald Trump tani përballet një vendim të madh: kë do të zgjedhë ai për kandidat për nënpresident për t’u përballur në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër demokratit, presidentit aktual, Joe Biden.
A do të zgjedhë Trumpi një grua apo një person me ngjyrë për të forcuar shanset e tij në garë? A do të zgjedhë ai besnikërinë para ambicieve politike? A do të befasojë ai me këtë zgjedhje dhe të vendosë kandidat për nënpresident dikë që nuk është në radar?
Lista e kandidatëve për nënpresident të mundshëm është e gjatë dhe disa prej këtyre emrave Trumpi i ka përmendur vetë ose janë përmendur nga ndihmësit e tij.
Një gjë është e qartë: Mike Pence, ish-nënpresidenti i Trumpit, nuk do të jetë numri dy në zgjedhjet e nëntorit, pasi Pence tha se nuk do të mbështesë ish-shefin e tij.
Në këtë tekst mund të mësoni disa prej emrave për kandidatin potencial të Trumpit për nënpresident:
Tim Scott
Tim Scott, senatori amerikan nga Karolina e Jugut, i cili është person me ngjyrë, është shndërruar në një aleat besnik të Trumpit, që kur ai i dha fund garës së tij për nominimin për president në zgjedhjet e nëntorit.
Këshilltarët i kanë bërë thirrje Trumpit që për kandidat për nënpresident të zgjedhë një grua apo një burrë me ngjyrë për të shtuar diversitetin në përpjekjet e tij për të ftuar zgjedhjet dhe për të tërhequr më shumë votuesit e moderuar. Trump publikisht ka lavdëruar senatorin 58-vjeçar, duke e quajtur një “avokat të mirë”. Mbetet të shihet nëse Scott do të ishte një kandidat i duhur për nënpresident.
Kristi Noem
Kristi Noem, që po shërben mandatin e saj të dytë katërvjeçar si guvernatore e Dakodës së Jugut pas rizgjedhjes më 2022, është e afërt me Trumpin. Ajo fitoi popullaritet në nivel kombëtar pasi refuzoi të miratonte vendimin për bërjen e detyrueshme të veshjes së maskave gjatë pandemisë së COVID-19.
Noem, 52 vjeçe, ka bërë fushatë për Trumpin në disa tubime në Ajova në janar.
“Mendoj se kushdo në këtë shtet, nëse i ofrohet, duhet ta shqyrtojë”, tha ajo për CBS në janar kur u pyet nëse do të bëhej kandidatja e Trumpit për nënpresidente. Noem është një politikane e aftë dhe mund të jetë shumë karizmatike për Trumpin, i cili ka qejf që vetë të dalë në pah. Në mars, ajo u bë cak i një padie me kërkesë të ligjvënësve demokratë në shtetin e saj lidhur me një hetim, pasi ajo publikoi një informacion në llojin e reklamës lidhur me një biznes dentar në Teksas, ku vetë kishte kryer ndërhyrje.
Elise Stefanik
Elise Stefanik, kongresiste nga Nju Jorku, është një tjetër aleate besnike e Trumpit dhe një yll në rritje në Partinë Republikane, pasi është gruaja me postin më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve nga kjo parti. Ajo fitoi famë kombëtare në dhjetor, pasi turpëroi krerët e tre universiteteve kryesore gjatë një seance dëgjimore në Kongres lidhur me antisemitizmin në kampuset e tyre. Dy prej udhëheqësve më pas dhanë dorëheqje, përfshirë edhe presidentin e Universitetit të Harvardit, ku Stefanik kishte studiuar.
Stefanik ishte një prej 147 anëtarëve të Kongresit që më 6 janar 2021 nuk kishte votuar për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020. Po atë ditë, mbështetësit e Trumpit sulmuan Kongresin amerikan.
Ka shqetësime në mesin e disa republikanëve se Stefanik, 39 vjeçe, mund të mos ketë përvojën e duhur që të zgjidhet si kandidate për postin e nënpresidentes.
Sarah Huckabee Sanders
Sarah Huckabee Sanders, 41-vjeçare, është guvernatore e Arkansasit, njëherësh ish-sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë. Shpesh ajo e mbron Trumpin publikisht. Për shkak të përvojës së saj si zëdhënëse, ajo do të ishte një avokuese e aftë për ish-presidentin gjatë fushatës presidenciale. Është e paqartë nëse ajo do të pranojë të jetë kandidate për nënprsidente.
“E dashuroj punën që kam”, tha ajo në janar.
Babai i Sandersit, që dikur kishte garuar për president dhe në të kaluarën ka mbajtur edhe postin e guvernatorit të Arkansasit, Mike Huckabee, po ashtu është një mbështetës i kamotshëm i Trumpit.
Byron Donalds
Byron Donalds, 45 vjeç, është një kongresist me ngjyrë nga Florida. Konservator, që i përket lëvizjes së Partisë së Çajit të ekstremit të djathtë, ai kishte votuar për të mos certifikuar fitoren në zgjedhjet e vitit 2020 të Bidenit. Një avokues elokuent i Trumpit, kongresisti shpesh është parë në fushatën e ish-presidentit.
Trump tha për Fox News në shkurt se Donalds është në listën e tij të ngushtë. I pyetur nga Reuters në shkurt për këtë çështje, Donalds konfirmoi se dëshironte të bëhej kandidati i Trumpit për nënpresident.
Vivek Ramaswamy
Vivek Ramaswamy është një tjetër ish-rival i Trumpit që është bërë një mbështetës i zëshëm i tij, pasi u largua nga gara në janar. Ramaswamy, 38 vjeç, multimilioner dhe ish-investitor në bioteknologji, mbizotëroi në shumë debate presidenciale të republikanëve. Por, sa më shumë që votuesit në zgjedhjet paraprake panë nga ai, mospëlqimi i tyre ndaj tij u rrit, sipas sondazheve. Ky mund të jetë një faktor kundër tij që të zgjidhet kandidat për nënpresident.
Megjithatë, ka raportime se Trumpi ka përjashtuar Ramaswamy nga lista për kandidat të mundshëm për nënpresident, pasi mendon që t’i japë një post tjetër në Qeveri, nëse fiton zgjedhjet.
Marco Rubio
Marco Rubio, 52 vjeç nga Majami, është në listën e Trumpit për kandidat për nënpresident, tha një burim që ka njohuri për këtë çështje. Rubio, senator i kamotshëm amerikan nga Florida dhe djalë i prindërve emigrantë nga Kuba, nuk pati sukses më 2016 për të fituar nominimin për president nga republikanët, nominim që atëbotë u fitua nga Trumpi. Rubio në janar ofroi mbështetjen për Trumpin në zgjedhjet e këtij viti.
Kushtetuta amerikane paraqet problem pasi që ndalon votuesit që zyrtarisht të zgjedhin presidentin dhe nënpresidentin të vijnë nga një shtet, dhe Trump dhe Rubio që të dy e quajnë Floridën shtëpi të tyre.
Rubio tha se nuk është kontaktuar për t’iu kërkuar që të bëhet kandidat për nënpresident.
“Nuk kam folur me askënd, as me presidentin e as me askënd nga stafi i tij për këtë”, tha ai gjatë një interviste për Fox News të dhënë më 21 mars.
Tulsi Gabbard
Ish-kongresiste demokrate që kishte garuar për presidente si demokrate më 2020, Tulsi Gabbard u largua nga partia më 2022 dhe u bë e pavarur. Që atëherë, ajo gjithnjë e më shumë është bërë kritike ndaj Bidenit dhe administratës së tij dhe ka fituar popullaritet në mesin e konservatorëve. Ajo shpesh është e ftuar në emisionet televizive dhe në radio të ekstremit të djathtë.
Në shkurt, Gabbard, 42 vjeçe, ishte folëse në Konferencën për Veprim Konservator Politk, (CPAC), kur akuzoi kritikët demokratë të Trumpit se kishin “mentalitet të diktatorëve”. Fakti që për një kohë të gjatë ka qenë demokrate mund të jetë faktor kundër marrjes së kandidaturës për të qenë numri dy në garën republikane për zgjedhjet e nëntorit.
Ben Carson
Ben Carson është ish-sekretari për Strehim dhe Zhvillim Urban nën administratën e Trumpit. Një neurokirurg në pension, Carson 72 vjeç, dështoi të fitonte nominimin për president në vitin 2016.
Ai fitoi rëndësi në nivel vendi si një konservator me ngjyrë pas një fjalimi më 2013 kur kritikoi politikat e Barack Obama, presidentin e atëhershëm amerikan që ishte i ulur disa metra larg tij.
Carson bëri fushatë gjatë këtij cikli zgjedhor për Trumpin duke vizituar disa kisha në Ajova. Megjithatë, stili i tij i fushatës që është shumë i ndryshëm nga ai i Trumpit, mund të jetë faktor negativ për shanset e tij që të zgjidhet si kandidat për nënpresident.
Kari Lake
Kari Lake, ish-prezantuese televizive, po garon në Arizona për një ulëse në Senatin amerikan në zgjedhjet e nëntorit. Ajo kishte dështuar të zgjidhej guvernatore e këtij shteti më 2022, pavarësisht se fushata e saj ishte mbështetur nga Trumpi.
Lake kurrë nuk ka pranuar rezultatin e asaj gare dhe ka promovuar pretendimet e pabaza të Trumpit se mposhtja e tij nga Bideni më 2020 ishte rezultat i mashtrimit. Lake, 54 vjeçe, është një folëse e aftë në publik, por për shumë mund të jetë një figurë polarizuese në vitin kur Trumpit i duhen votues të moderuar në shtetet e pavendosura, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e nëntorit.
Nikki Haley
Disa republikanë besojnë se Nikki Haley, ish-ambasadorja në Kombet e Bashkuara e cila ishte rivalja e fundit e Trumpit për nominimin e republikanëve, do të ishte kandidatja ideale për nënpresidente.
Ajo pëlqehet më shumë nga republikanët e moderuar dhe votuesit e pavarur, për të cilët Trump ka nevojë që t’i ndihmojnë të mposhtë Bidenin.
Por, Haley, 52-vjeçare, insiston se ajo nuk do të jetë kandidatja për nënpresidente e Trumpit dhe ajo zemëroi Trumpin, pasi rezistoi shumë gjatë para se të hiqte dorë nga gara në zgjedhjet paraprake.
Kur Haley u tërhoq nga gara më herët gjatë këtij muaji, ajo nuk deshi të tregojë nëse do të mbështeste Trumpin kundër Bidenit.
Marjorie Taylor Greene, 49 vjeç, kongresiste nga Xhorxhia, është një kritike e ashpër e Bidenit dhe mbrojtëse e Trumpit. Trumpit i pëlqen ajo. Por, Greene është një figurë kundërthënëse që mund të jetë shumë polarizuese si kandidate për nënpresidente.
Ajo ka promovuar teori konspirative të ekstremit të djathtë, kishte votuar më 6 janar 2021 për të mos certifikuar fitoren e Trumpit dhe madje kishte krahasuar masat e sigurisë për COVID-19 me përndjekjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. /REL/