Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar mënyrën se si Komisioni për Legjislacion nisi shqyrtimin e pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi.
Sipas KDI-së, projektligjet u shqyrtuan dhe u votuan në parim duke mos respektuar afatet që parashihen me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Fillimisht, neni 34 (4) i Rregullores përcakton se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj”, thuhet në reagim.
KDI thotë se deputetët e kanë marrë pakon e projektligjeve dhe materialet prej qindra faqesh vetëm mbrëmjen para mbledhjes.
“Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim. Për këtë procedim të përshpejtuar nuk është dhënë paraprakisht ndonjë arsyetim.”
Instituti ka përmendur edhe nenin 74 (1), sipas të cilit leximi i parë në seancë plenare mbahet vetëm pasi të kenë kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjeve tek deputetët.
“Pra, Komisioni kishte kohë që ta zhvillonte shqyrtimin në parim duke respektuar afatin e rregullt për thirrjen e mbledhjes dhe duke u dhënë deputetëve mundësi reale për t’i shqyrtuar materialet.”
KDI ka kritikuar edhe faktin që projektligjet janë votuar pa u prezantuar nga ministrja përgjegjëse, ndonëse ka sqaruar se kjo nuk është detyrim procedural.
“Për një pako kaq të rëndësishme të reformës në drejtësi do të duhej që ministrja të ishte e pranishme, t’i prezantonte propozimet dhe t’u përgjigjej pyetjeve eventuale të deputetëve.”
KDI ka kërkuar që fazat e ardhshme të zhvillohen “duke respektuar plotësisht procedurat parlamentare dhe duke siguruar përfshirjen e akterëve relevantë”.






