Në një konferencë për media, KDI prezantoi analizën “Ushtrimi i detyrës së Presidentit përtej gjashtë muajve”, ku u trajtua situata e krijuar pas mungesës së një Presidenti të zgjedhur.
Eugen Cakolli tha se periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, e cila nisi më 4 prill, përfundon më 4 tetor.
Ndërkohë, sipas tij, afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është 6 tetori.
“Afati i 6 tetorit përcakton kohën që ka Kuvendi për ta zgjedhur Presidentin dhe pasojën nëse dështon, ndërsa kufiri gjashtëmujor lidhet me kohëzgjatjen e ushtrimit të përkohshëm të përgjegjësive presidenciale”, tha Cakolli.
Ai theksoi se zgjedhja dhe betimi i Presidentit para 4 tetorit do të shmangte një periudhë në të cilën autoriteti për ushtrimin e përgjegjësive presidenciale mund të bëhet i kontestueshëm.
Cakolli iu referua edhe deklaratës së përbashkët të rreth 50 organizatave të shoqërisë civile, të publikuar një ditë më parë, përmes së cilës u kërkua arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit.
Sipas tij, dështimi i zgjedhjes së Presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, ndërsa ekziston rreziku që mosmarrëveshja për Presidentin të bartet edhe në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku prezantoi vlerësimin e KDI-së se kufiri gjashtëmujor, i përcaktuar në nenin 90, pika 3 të Kushtetutës, e kufizon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të Presidentit.
Sipas tij, rizgjedhja e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit më 9 shtator nuk ka krijuar automatikisht një periudhë të re gjashtëmujore, pasi vakanca presidenciale ka vazhduar.
“Rizgjedhja ose ndërrimi i Kryetarit, pa ndërprerjen e vakancës presidenciale, nuk trajtohet si rifillim automatik i afatit”, u shpreh Bugaqku.
Ai tha se mungesa e një mekanizmi të qartë pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave presidenciale.
Kjo çështje, sipas KDI-së, bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin edhe më 6 tetor, pasi shpallja e zgjedhjeve të reja është kompetencë e Presidentit.
Për këtë arsye, KDI kërkoi që Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, apo palët e tjera të autorizuara, të shqyrtojnë menjëherë mundësinë e kërkesës për sqarimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së vitit 2011.
KDI kërkon që Gjykata Kushtetuese, në rast të paraqitjes së një kërkese të tillë, ta trajtojë atë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar, duke marrë parasysh afërsinë e datave 4 dhe 6 tetor.
Sipas KDI-së, ndër çështjet që kërkojnë sqarim janë raporti ndërmjet afatit gjashtëmujor dhe afatit të 6 tetorit, baza dhe kufijtë e ushtrimit të përgjegjësive presidenciale pas 4 tetorit, si dhe autoriteti për shpalljen e zgjedhjeve në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit.






