Kastrati: Disa nga përgjegjësitë e KFOR-it mund t’i kalojnë gradualisht FSK-së

- Advertisement -

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati në “Info Magazine” në Klankosova ka folur për vendimin e NATO-s për optimizimin e pranisë ushtarake në Kosovë.

Kastrati tha se ky vendim vjen pasi që, sipas tij, bazohet në informacionet që merren drejtpërdrejt nga terreni përmes kontingjenteve të shteteve pjesëmarrëse në KFOR.

Po unë e di se jam i informuar që NATO që një kohë është duke rishikuar pozicionin e vet apo më mirë them numrin e prezencës ushtarake këtu në Kosovë”, deklaroi ai në Klankosova.

Sipas tij, çdo njësi ndërkombëtare në Kosovë raporton në baza ditore mbi gjendjen e sigurisë.

Çdo kontingjent i shteteve që qëndrojnë këtu në Kosovë kanë edhe inteligjencën e vet dhe ata raportojnë baza ditore mbi situatën e sigurisë këtu në Kosovë”, u shpreh Kastrati.

Ai theksoi se Kosova duhet të jetë më aktive në komunikim me Brukselin lidhur me planifikimin e ardhshëm të forcave të NATO-s në vend.

Ka më shumë se një vit që e kam thënë në studio të ndryshme se Kosova do duhej dalë ngadalë të hyjë në kontakt me Brukselin për planifikimin e ardhshëm të forcave të NATO-s në Kosovë”, tha ai.

Kastrati kujtoi se Plani zhvillimor i Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2028 pritet të arrijë fazën përfundimtare të kapaciteteve operacionale.

Plani 10-vjeçar zhvillimor i Forcave tona të Armatosura po i vjen deri në fund në 2028, ata duhet të jenë operacional dhe të kompletuar me të gjitha njësitë, pajisjet dhe armatimin e planifikuar”, deklaroi ai.

Sipas tij, në këtë fazë krijohen kushtet që disa prej detyrave të KFOR-it të mund të kalojnë gradualisht te institucionet vendore të sigurisë.

Atëherë normal që pjeken edhe kushtet që dalë ngadalë disa nga detyrat që KFOR-i ka aktualisht të mund të barten te forcat tona të armatosura apo forcat vendore”, tha Kastrati.

Ai vlerësoi se një proces i tillë nuk paraqet rrezik për Kosovën, duke theksuar se NATO do të mbetet e pranishme në vend deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancë.

Të ngjashme

Të fundit