Kaosi në SHBA me ndërprerjen e fluturimeve, flet Sekretari për Sigurinë Kombëtare

- Advertisement -

Autoritetet amerikane kanë urdhëruar ndalimin e fluturimeve në të gjitha aeroportet e Shteteve të Bashkuara, pas një problemi në komunikimin që ka prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror.

Sipas raportimit të BBC-së, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka njoftuar se vendimi është marrë për arsye sigurie dhe për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka bërë të ditur se problemi ka prekur komunikimin në të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror përgjatë rrugëve ajrore në SHBA. Ai ka thënë se teknikët e FAA-së janë duke hetuar shkakun e ndërprerjes.

Ndërkohë, sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Markwayne Mullin, ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë indikacion se bëhet fjalë për një sulm kundër Shteteve të Bashkuara.

“Ky është një ndërprerje e telekomunikacionit”, ka thënë Mullin, duke shtuar se të gjithë aeroplanët janë të evidentuar.

Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, në momentin e raportimit rreth 3.100 aeroplanë ndodheshin në ajër dhe ishin në drejtim të aeroporteve amerikane. Platforma ka bërë të ditur se në atë moment nuk po ngriheshin aeroplanë të tjerë, ndërsa FAA ka njoftuar se fluturimet ndërkombëtare që po drejtoheshin drejt SHBA-së do të trajtoheshin rast pas rasti.

Ndalimi i fluturimeve është konfirmuar nga disa aeroporte të mëdha, përfshirë ato të Atlantës, Uashingtonit, Miamit, Baltimores dhe Houstonit. FAA ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e ndalimeve dhe vonesave në aeroportet e Los Angelesit, Las Vegasit, JFK-së në New York dhe Filadelfias.

Ndërprerja ka shkaktuar probleme edhe për pasagjerët që tashmë kishin arritur në destinacionet e tyre. Në aeroportin ndërkombëtar të Los Angelesit, një pasagjer i ka thënë BBC-së se aeroplanët që kishin ateruar nuk po lejoheshin të lëviznin nga pista drejt portave të terminalit. Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në Austin, ku pasagjerëve u ishte kërkuar të qëndronin në aeroplanë deri në një njoftim të ri.

 

Të ngjashme

Të fundit