Mërgim Lushtaku nga PDK ka folur hapur për dilemat e tij lidhur me pjesëmarrjen në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit. Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai tha se ka hezituar të vendosë për kandidim.
“Realisht, jam në kryesinë e partisë, por sot nuk mora pjesë në mbledhje sepse desha të diskutoj me miqtë dhe mbështetësit e mi, që më kanë qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi,” u shpreh Lushtaku.
Ai tregoi se hezitimi i tij nuk lidhej vetëm me vendin në listë, por edhe me frymën që dëshironte të krijonte brenda partisë.
“Kam hezituar. Edhe më herët kisha më shumë hezitim, sepse fryma që donim të krijonim do të ishte më e fortë nëse përfshiheshin Limaj dhe struktura e tij në listën e PDK-së. Kam pasur edhe telefonata nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, por deri tani nuk kam shkuar”, ka thënë tutje Lushtaku.
Lushtaku nënvizoi se qëllimi i tij nuk ka qenë të marrë një numër në listë, por të krijojë një energji të re dhe të bëjë një alternativë më të fortë për qytetarët.
“Nuk kam dashur të zgjedh asnjë numër të partisë, por kam dashur të krijoj një frymë dhe një energji që të jemi një alternativë më e madhe për qytetarët e vendit”, përfundoj Lushtaku.
Ai shtoi se pas mbledhjes së fundit të kryesisë, planifikon të takohet me strukturat dhe miqtë e tij për të diskutuar më tej rolin që mund të ketë në këtë proces zgjedhor.






