Gazetari e analisti Vehbi Kajtazi ka thënë se Serbia është pajtuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse të njëjtën e cilësojnë si “terroriste”, mirëpo në të njëjtën anë Vetëvendosje është duke e kontestuar të njëjtën.
Në emisionin VV Show, Kajtazi ka komentuar deklaratat e Dejona Mihalit, e cila hodhi akuza ndaj luftës së Sami Lushtakut, njërit prej gjeneralëve më të shquar të UÇK-së.
Sipas Kajtazit, është e papranueshme se si Vetëvendosje po e konteston luftën çlirimtare të UÇK-së, ndonëse e njëjta luftë është pranuar nga vetë Serbia.
“Sami Lushtaku është i dënuar nga Gjykata e Qarkut e regjimit të Millosheviqit, në të cilën gjykatë dhe prokurori të asaj kohe kanë punuar njerëz që tashmë janë me Vetëvendosjen. Është dënuar në mungesë për vrasje të policëve serbë në vitin 1991-92. Lushtaku, Hashim Thaçi, Rrahman Rama, Adem Jashari, janë dënuar. Pra ka qenë pjesë e atyre njerëzve të cilët viteve ’90 e kanë ditë që ky vend nuk çlirohet pa luftë. Pra i kanë marrë armët, kanë sulmuar stacionet policore, kanë vrarë policë të Serbisë, janë përndjekur, janë gjykuar në mungesë, janë dënuar për terrorizëm”.
“Serbia këta njerëz i ka ndjekur, i ka gjykuar dhe i ka dënuar për “terrorizëm”. Vetëvendosje sot po ia konteston krejt kontributin për luftën çlirimtare. Serbia nuk po ia konteston luftën, por vetëm cilësimin po ia jep si “organizatë terroriste”. Pra ata nuk e kanë asnjë që këta kanë luftuar, kanë vrarë policë e ushtarë në luftën në Kosovë. Serbia e pranon sepse për këto raste ka aktgjykime. Hashim Thaçi është i dënuar nga gjykata e Serbisë me 15 vite burgim. Sot është në Hagë po gjykohet për luftën çlirimtare. Është dënuar njëherë po akuzohet sot. Serbia po e njeh luftën e këtyre ndonëse po e cilëson “terroriste”. Vetëvendosje nuk po e njeh fare. Si ka mundësi që Serbia me njoftë luftën e UÇK-së, ndonëse me cilësime tjera, kurse këta që e kanë pushtetin në Kosovë nuk e njohin këtë luftë dhe këtë kontribut”, ka thënë Kajtazi.






