Kajtazi: Aktgjykimi i Speciales është kryekëput politik, s’mund t’i besojmë Apelit

- Advertisement -

Gazetari Vehbi Kajtazi tha se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është kryekëput me motive politike, duke theksuar se nuk duhet pasur besim se shkalla e dytë e kësaj gjykate do të marrë vendim ndryshe.

Kajtazi, në emisionin Rubikon në Klan Kosova, u shpreh se alarmi i ngritur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, përkatësisht nga avokati Pierre-Richard Prosper, tregon qartë situatën brenda procesit gjyqësor.

“Avokati Prosper bëri të qartë se ai nuk i beson më shkallës së dytë, pra nuk i beson institucionit në tërësi. Për këtë arsye, ai, si profesionist që është dhe duke e ditur që ka qenë pjesë e procesit edhe e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë ka ndodhur në atë proces gjyqësor, ai dha një alarm se edhe shkalla e dytë mund të jetë njëjtë sikurse shkalla e parë”, tha Kajtazi.

Ai theksoi se përtej qëndrimeve personale ndaj Thaçit, duhet parë me kujdes mënyra se si është zhvilluar procesi dhe provat e administruara.

Duke komentuar nismën ligjore të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Kajtazi vlerësoi se propozimi aktual nuk është i plotë për shkak të kushtëzimeve që përmban.

Sipas Kajtazit, ekziston rreziku real që Gjykata Kushtetuese e vetë Dhomave të Specializuara ta shfuqizojë çdo ndryshim ligjor që mund të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit