Juventusi ka pësuar një humbje të rëndë 0-2 ndaj Fiorentinës në javën e 36-të të Serie A, një disfatë që mund t’i kushtojë shumë skuadrës torineze në garën për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Në “Allianz Stadium”, bardhezinjtë zhgënjyen totalisht përballë një Fiorentine më të organizuar dhe më konkrete në fazën sulmuese.
Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 34-t me Ndour, ndërsa Juventusi tentoi të reagojë në pjesën e dytë, por pa sukses.
Inkuadrimi i Zhegrovës në pjesën e dytë, i dha energji skuadrës, madje, një gol i Vlahoviqit në minutën e 70-të u anulua për pozitë jashtë pikërisht pas goditjes së devijuar të Edonit. Vetëm 13 minuta më vonë, Mandragora vulosi fitoren e Fiorentinës me golin për 0-2, duke heshtur tifozët vendas.
Situata tani bëhet shumë e komplikuar për Juventusin, që rrezikon seriozisht të mbetet jashtë katër vendeve të para.






