Aktorja Jennifer Aniston ka bërë një nga referencat e rralla publike për ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt, gjatë një bisede me mikeshën dhe kolegen e saj nga seriali “Friends”, Lisa Kudrow.
Gjatë intervistës për “Actors on Actors”, Aniston dhe Kudrow kujtuan momentet më të mira nga seriali.
Biseda u ndal te episodet e ‘Ditës së Falënderimeve’, kur Kudrow përmendi episodin ku Brad Pitt ishte mysafir dhe e cilësoi atë si ‘shumë qesharak’.
Aniston u pajtua me këtë vlerësim dhe kujtoi me humor yjet e shumtë që kishin marrë pjesë në serial, përfshirë Brad Pitt, Bruce Willis, Julia Roberts, Isabella Rossellini dhe Sean Penn.
Ajo tha se gjithmonë i kishte habitur fakti që edhe yjet më të mëdhenj të Hollywood-it ndiheshin nervozë para paraqitjeve në “Friends”.
Brad u shfaq në sezonin e tetë të serialit, duke luajtur personazhin e Will Colbert, një ish-shok shkolle i Ross dhe Monicas, i cili urrente Rachel Green, personazhin e interpretuar nga Aniston.
Jennifer Aniston dhe Brad Pitt nisën lidhjen e tyre në vitin 1998, u fejuan në vitin 1999 dhe u martuan në vitin 2000.
Ata njoftuan ndarjen në vitin 2005.
Pavarësisht divorcit, Aniston kishte deklaruar atëherë se shpresonte që një ditë të mbeteshin miq.
Jennifer Aniston dhe Brad Pitt
Me kalimin e viteve, duket se marrëdhënia mes tyre është përmirësuar.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendje ishte përqafimi i tyre miqësor në prapaskenat e ndarjes së çmimeve ‘Screen Actors Guild Awards 2020’.







