Jehona e Malësisë përshëndet krijimin e Forumit Shqiptar/ Berishaj: Bashkimi politik garanci për të ardhmen kombëtare

- Advertisement -

Shoqata “Jehona e Malësisë” në Michigan ka përshëndetur dhe uruar bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Unionit Nacional Shqiptar në një subjekt të përbashkët politik të quajtur Forumi Shqiptar.

Në një deklaratë publike, kryetari i shoqatës, Zef Berishaj, e vlerësoi këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm politik dhe kombëtar për shqiptarët në Mal të Zi, duke theksuar se uniteti politik është faktor kyç për forcimin e përfaqësimit dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit shqiptar.

Sipas deklaratës, përvoja e Malësisë është një shembull i suksesit të bashkimit politik, duke sjellë, siç thuhet, përfaqësim më të fortë dhe rezultate konkrete në zhvillimin lokal dhe dinjitetin politik.

Shoqata thekson se bashkimi i tre subjekteve nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në nivel politik, por duhet të shndërrohet në një thirrje të hapur për përfshirjen e aktivistëve, profesionistëve, të rinjve dhe figurave të tjera publike që duan të kontribuojnë në mënyrë aktive në jetën politike dhe institucionale.

Gjithashtu, në deklaratë u bëhet thirrje edhe partive dhe faktorëve politikë shqiptarë në qytete të ndryshme të Malit të Zi, përfshirë Ulqinin, Plavën, Gucinë, Rozhajën dhe Tivarin, që të shqyrtojnë mundësinë e bashkimit në kuadër të Forumit Shqiptar.

“Shqiptarët nuk kanë më luksin të jenë të ndarë në shumë zëra të vegjël, përballë sfidave të mëdha politike, ekonomike dhe institucionale,” thuhet në deklaratë.

Forumi Shqiptar është cilësuar si një platformë e përbashkët politike që synon mbrojtjen e gjuhës, identitetit, kulturës dhe interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke u paraqitur si një forcë unifikuese dhe përfaqësuese.

Shoqata “Jehona e Malësisë” vlerëson gjithashtu rolin e mërgatës shqiptare, duke theksuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për vendlindjen përmes kontributit ekonomik, politik dhe moral.

Në fund të deklaratës, theksohet mesazhi i unitetit: “Vetëm të bashkuar jemi faktor, vetëm të bashkuar fitojmë dhe ndërtojmë të ardhmen që na takon.”

Ja postimi plotë:

URIME PËR BASHKIMIN NË FORUMIN SHQIPTAR: FITORE PËR MALËSINË, GARANCI PËR TË ARDHMEN KOMBËTARE

Shoqata “Jehona e Malësisë” përshëndet dhe uron bashkimin politik të Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Unionit Nacional Shqiptar në një subjekt të përbashkët politik: Forumi Shqiptar.

Ky është një hap i rëndësishëm politik dhe kombëtar. Është dëshmi se kur shqiptarët vendosin interesin e përgjithshëm mbi ndasitë partiake, krijohet forcë, besim dhe strategji fituese.

Malësia e provoi këtë me vepra. Bashkimi në Tuz solli fitore, përfaqësim më të fortë, zhvillim dhe dinjitet politik. Prandaj sot duhet thënë qartë: vetëm uniteti mund ta garantojë të ardhmen e shqiptarëve në Tuz dhe në të gjitha viset shqiptare në Mal të Zi.

Ky bashkim nuk duhet të mbetet vetëm bashkim i tri subjekteve politike. Ai duhet të jetë thirrje e hapur për çdo aktivist, politikan, intelektual, profesionist, të ri, të re dhe kandidat potencial që ka vullnet t’i shërbejë vendit me përgjegjësi. Koha kërkon njerëz të aftë e të vendosur, që interesin kombëtar ta vendosin mbi interesin personal.

Në këtë frymë, u bëjmë thirrje edhe partive dhe faktorëve politikë shqiptarë në Ulqin, Plavë, Guci, Rozhajë, Tivar dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, që ta shqyrtojnë seriozisht bashkimin me Forumin Shqiptar. Shqiptarët nuk kanë më luksin të jenë të ndarë në shumë zëra të vegjël, kur përballë kemi sfida të mëdha politike, kombëtare, ekonomike dhe institucionale.

Forumi Shqiptar duhet të bëhet shtëpia e përbashkët politike e shqiptarëve në Mal të Zi. Një forcë që mbron gjuhën, identitetin, tokën, kulturën dhe dinjitetin kombëtar. Një forcë që bashkon, përfaqëson dhe jep rezultate.

Mërgata shqiptare ka qenë gjithmonë pranë vendlindjes, me punë, me ndihmë, me zë, me zemër dhe me votë. Sot, “Jehona e Malësisë” përsërit të njëjtin mesazh:

Vetëm të bashkuar jemi faktor.
Vetëm të bashkuar fitojmë.
Vetëm të bashkuar ndërtojmë të ardhmen që na takon.

Urime Forumit Shqiptar.
Urime Malësisë.
Urime shqiptarëve në Mal të Zi.

Me respekt,

Zef Berishaj
Kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë”

Të ngjashme

Të fundit