28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

Javën e ardhshme pritet të dorëzohet raporti për masat ndaj Kosovës

- Advertisement -

Gjatë javës së ardhshme pritet që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dorëzojë raportin lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës, ka raportuar “RTK” të mërkurën.

Ky raport duhet t’u dorëzohet shteteve anëtare të cilat më pas shqyrtojnë nëse janë arritur kushtet për heqjen e masave, të cilat Bashkimi Evropian i kishte vendosur vitin e kaluar.

Akoma mbetet e paqartë nëse Borrelli do të rekomandojë heqjen e masave.

Siç raporton “RTK” me burime diplomatike, gjithçka do varet nga terminologjia si dhe qasja të cilën shefi i diplomacisë evropiane do e përdorë në raport.

Nëse ai do i referohet vetëm kërkesave të cilat BE-ja i kishte parshtruar autoriteteve të Prishtinës në qershor të vitit të kaluar e të cilat kishin të bëjnë me hapat drejt de-përshkallëzimit të lidhura me procesin zgjedhor në katër komunat e veriut, atëherë, këto burime konsiderojnë se rekomandimi për heqjen e masave është i mundshëm.

Sidoqoftë, veprimet e fundit lidhur me operacionet policore në institucione financiare të Serbisë në veri, pritet të përmenden në raport. Këtë e ka konfirmuar më herët edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Mirëpo gjithçka do varet nga ajo se në çfarë konteksti do përmenden këto operacione.

Dorëzimi i raportit, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave. Ky raport vetëm do t’iu shërbejë vendeve anëtare që ta kthejnë këtë çështje ne agjendë dhe në periudhën në vijim, të nisin të shytojnë mundësinë e heqjes së masave.

Raportin e Borrellit e kishin kërkuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, në debatin e parë ku është diskutuar heqja e masave, pak ditë pas zgjedhjeve në veri, që u mbajtën më 21 prill. Asokohe shumica e shteteve anëtare u shpreh pro heqjes së masave dhe e vetmja paqartësi ishte e lidhur me të nëse masat duhet të hiqen krejtësisht apo në mënyrë graduale.

Komisioni Evropian (KE) i pati vendosur masa ndëshkuese Kosovës një vit më parë, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Masat e vendosura nga BE-ja përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Është suspenduar gjithashtu edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin nëpërmjet Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova ka mbetur jashtë granteve që BE-ja i ka miratuar në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit