Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shemsi Jashari, e ka cilësuar hap pozitiv dakordimin për ndërmarrjen e një nisme të re për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë.
Megjithatë, ai është shprehur skeptik për këtë dakordim, duke thënë se nuk do t’u besojë deputetëve deri në momentin kur t’i shohë duke votuar pro nismës së re ligjore.
“Është inkurajues fakti që po thuhet se ka dakordim, por prapë, për bindjen time personale, nuk u besoj deputetëve pa dallim deri ditën që i shoh duart përpjetë duke e votuar këtë ligj të ri, këtë nismë të re ligjore. Derisa nuk i shoh duart përpjetë dhe e shohim përmbajtjen e atij ligji të ri që po vjen, nuk besoj se do të jetë një ligj i miratuar dhe një ligj i mirë”, ka deklaruar Jashari në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar se po e shfrytëzon shumicën parlamentare për të diktuar procesin rreth ndryshimit të Ligjit për Specialen.
Sipas Jasharit, mënyra se si ka rrjedhur ky proces, nga miratimi i ndryshimeve të para deri te dakordimi për një nismë të re, dëshmon mungesë të qëndrueshmërisë dhe seriozitetit në trajtimin e kësaj çështjeje.
“Fakti që kemi pasur premtime dhe që kemi dakordim edhe për nismën e parë, miratimi në dy lexime, shkuarja te presidentja, kërkesa për kthim, pastaj kishte deklarata që do të miratohet si i tillë, pastaj filloi procesi i amendamentimit e tash sot doli një konfirmim se kemi dakordim për një nismë të re, po tregon që Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shumicën në Kuvend edhe ka mundësinë edhe me blloku edhe me e çu përpara këtë proces, është duke e shfrytëzuar pozitën e numrave që ka në Kuvend për të diktuar procesin rreth ligjit për Specialen”, është shprehur ai.
Jashari ka thënë se zhvillimet rreth kësaj nisme janë të pakuptimta dhe të pasinqerta në raport me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha partive politike dhe se çështja është dashur të trajtohet me më shumë seriozitet që nga fillimi.
“Është shumë e pakuptimtë dhe e pasinqertë në raport me krerët e UÇK-së në Hagë që i gjithë procesi i miratimit, ndonëse ishte për një periudhë të shkurtër pas asaj tronditjes që ndodhi më 16 shtator, kur u komunikua vendimi i shkallës së parë, ku ishin deputetët, kryeministri e krerët e partive politike, që nuk u ulën që draftin e parë ta bëjnë ashtu siç po thuhet tash që po e bëjmë më mirë. Nuk ka qenë iniciativë individuale, por ka qenë nismë e PDK-së me e shty këtë proces përpara. Edhe është dashur që secili që ka komente, por një përgjegjësi e bartin të gjithë. Ky proces kërkon seriozitet shumë më të madh sesa që po tregohet”, ka përfunduar Jashari.
Ndryshe, Kosova pritet të ndërmarrë një nismë të re për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kundërshtimeve të ashpra ndërkombëtare ndaj ndryshimeve të propozuara në ligjin e vitit 2015.
Kryeministri Albin Kurti dhe PDK-ja janë pajtuar për një nismë të re të enjten, në ditën kur votimi për ndryshimet e propozuara më herët u shty për herë të dytë.
Ndryshimet e miratuara në tetor ishin kthyer në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të vetë iniciueses, PDK-së.
Ato ishin miratuar disa javë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kishin shpallur aktgjykimet e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.






