“Jam i kënaqur me lojën e lojtarët”, Foda: Para dy vitesh barazimi me Austrinë do na gëzonte, sot mërzitemi

- Advertisement -

Selektori i kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka folur pas barazimit të Kosovës me Austrinë.

Kosova e Austria u ndanë në paqe në “Fadil Vokrri”, me shifrat prej 1-1.

Pas ndeshjes, selektori i Kosovës u shpreh i lumtur me angazhimin e lojtarëve, në atë që e cilësoi si “ndeshje të madhe”.

“Lojë përfundimisht e mirë, e madhe. Atë që e kemi diskutuar, lojtarët e kanë zbatuar. Jam shumë i kënaqur me ekipin, me secilin prej lojtarëve. Kemi mundur të shënojmë edhe për 2:0. Ishim të koncentruar si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. E pritëm një fitore, por nuk doli ashtu”, ka thënë Foda fillimisht.

Ai tha tutje se lojtarët janë pak të mërzitur nga kjo ndeshje.

“Lojtarët janë pak të mërzitur. Para dy vjetësh erdha dhe në atë kohë me një barazim 1:1 me Austrinë do të ishim të gëzuar. Sot janë të mërzitur.  Austria është skuadër e madhe. Është e 23-ta në ranglistën e FIFA-s. Ka luajtur në Botëror e Evropian. Tani presim jo vetëm barazime, por edhe fitore me ekipet e mëdha”, ka shtuar Foda tutje.

“Kam besim të plotë në ekip, përndryshe nuk do të isha selektor. Jam krenar që secili lojtar luajti më shumë minuta se që në fakt ka mundur”, e mbylli ai.

Ndeshja Kosovë – Austri i takoi xhiros së katërt të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Kosova momentalisht ka pesë pikë nga katër ndeshje, teksa Austria i ka tetë si lidere.

Kosova është e dyta, ndërsa kjo pozitë mund t’i merret nëse Irlanda e mposht Izraelin sonte.

Të ngjashme

Të fundit