Thorbjorn Jagland ishte Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në kohën kur u votua raporti famëkeq i Dick Martyt, i cili më vonë rezultoi se ishte ndërtuar mbi dosje, shpifje dhe fabrikime të Serbisë. Megjithatë, pavarësisht hetimeve të shumta, këto pretendime nuk u dëshmuan asnjëherë, sepse nuk qëndronin që në fillim.
Komiteti i Ministrave në Këshilli i Europës ia ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze për zhvillimin e procedurave lidhur me akuza për korrupsion të rëndë.
Më herët, Norvegjia kishte nisur hetime ndaj ish-kryeministrit Jagland, nën dyshimet për korrupsion që lidhen me kontaktet e tij me financierin amerikan dhe shkelësin seksual Jeffrey Epstein.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën e tij për Kanal10, e cila do të transmetohet të enjten në orën 22:15, ka folur për takimin dhe diskutimin që kishte zhvilluar me Jaglandin.
Sipas Thaçit, gjatë diskutimit me Jaglandin, ai e përmendte vazhdimisht raportin e Dick Martyt sikur të ishte “Bibla”, apo një libër i shenjtë. Thaçi tregon se gjatë debatit i kishte thënë se qasja e tij ishte plotësisht e gabuar, ndërsa përgjigjja që kishte marrë e kishte befasuar:
“Ne jemi në komunikim me liderë të tjerë kosovarë dhe ti nuk je njëri prej tyre”, i kishte thënë Thorbjørn Jagland Hashim Thaçit.
Thaçi, në intervistën e tij nga Haga, ka deklaruar gjithashtu:
“Sot nuk habitem për vendin ku ndodhem, sepse shoh se si dosjet Epstein tregojnë lidhjet e Jaglandit me Rusinë.”
Jagland është një nga personat më të përfolur në lidhje me kontaktet dhe dëshmitë që lidhen me Jeffrey Epstein, dosja e të cilit ka tronditur opinionin publik në mbarë botën.
VIDEO: https://www.facebook.com/reel/963930696558066






