Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e masakrës së Korishës, duke publikuar një video nga homazhet dhe një mesazh emocional në rrjetet sociale.
Hoxhaj e cilësoi masakrën e Korishës si një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku më 13 maj 1999 u vranë 87 civilë shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe.
“Në Korishë u vranë civilë të pafajshëm nga komuna e Prizrenit dhe Suharekës. Gra, fëmijë e pleq, duke u larguar nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës, u grumbulluan dhe u përdorën si mburojë njerëzore nga forcat serbe”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai theksoi se dhimbja e asaj dite vazhdon të mbetet e gjallë për familjet e viktimave dhe për gjithë Kosovën.
“Dhimbja e asaj dite mbetet ende plagë e hapur për familjet, për Prizrenin, për Suharekën dhe për gjithë Kosovën”, u shpreh Hoxhaj.
Në fund të mesazhit të tij, ai nderoi martirët e Korishës, duke thënë se ata “u bënë simbol i vuajtjes dhe sakrificës së popullit tonë për liri”.
“Përgjithmonë do të kujtohen me respekt dhe përulësi martirët e Korishës. Lavdi!”, përfundoi ai.
https://www.facebook.com/






