Autoritetet në Itali kanë ndaluar mbajtjen e koncerteve të Kanye West dhe Travis Scott, duke përmendur shqetësime për rendin publik dhe sigurinë.
Prefekti Salvatore Angieri ka bërë të ditur të premten se dy koncertet, të planifikuara të mbaheshin në qytetin verior Reggio Emilia në muajin korrik, nuk do të lejohen të zhvillohen.
Vendimi erdhi pas një kërkese nga komuniteti hebre lokal për anulimin e koncertit të West.
Udhëheqësja e komunitetit, Nicoletta Uzzielli, kishte kërkuar që ngjarja të zëvendësohej me një performancë që “ta rikthejë muzikën në qendër si një forcë unifikuese universale”.
West ka shkaktuar reagime të shumta për deklarata antisemitike, raciste dhe pro-naziste, të cilat së fundmi çuan edhe në ndalimin e tij për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar.
Reperi amerikan, i njohur tani si Ye, ishte planifikuar të performonte së bashku me Travis Scott dhe artistë të tjerë si The Chainsmokers, Rita Ora dhe Swedish House Mafia.
Prefektura rajonale ka thënë në një deklaratë se vendimi është marrë duke marrë parasysh disa faktorë, përfshirë anulimet e mëparshme të koncerteve të reperit në vende të tjera dhe rrezikun real për protesta kundërshtuese.
Po ashtu, është theksuar se afërsia e dy koncerteve, të planifikuara për 17 dhe 18 korrik në RFC Arena në Reggio Emilia, si dhe pritshmëritë për turma të mëdha, kanë ndikuar në vendim.
Ndërkohë, Travis Scott ka qenë nën vëzhgim të shtuar pas tragjedisë në festivalin Astroworld në Houston në vitin 2021, ku humbën jetën 10 persona të moshës nga 9 deri në 27 vjeç.






