Zyrtari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka folur lidhur me deklaratat e rënda dhe kërcënuese të mërgimtarit Naser Xhylani, militant i Lëvizjes Vetëvendosje, në drejtim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj.
Mërgimtari e ka krahasuar Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke iu referuar me mbiemrin e tij, “Daut Radoiçiq”.
Isufi tha se gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj familjeve emblematike të Kosovës është bërë shqetësuese dhe se raste të tilla nuk janë të reja.
“Nuk është hera e parë që po ndodh kjo ndaj z.Haradinaj, ndaj familjes Haradinaj, ndaj familjes Jashari, ndaj familjeve emblematike të këtij vendi, që kanë sakrifikuar dhe kanë sjellë lirinë dhe edhe ata që nuk kanë qenë në përkrahje të lirisë së Kosovës, të kenë mundësi të jetojnë të lirë në një ditë kur Kosova është e lirë, të jetë shprehja e lirë, por jo në mënyrën e tillë, të fyerjes dhe kërcënimit”.
“Kjo bazuar edhe në një politikë e cila është ndjekur nga parti politike, që nuk ka zgjedhur mënyrë dhe metodë për të ardhur në pushtet, e që në fakt ka degraduar me fjalor që e kemi parë edhe në Parlamentin e Kosovës, por edhe skenën publike në përgjithësi”, u shpreh Isufi në “Edicionin Special” në Klan Kosova.
Ai vlerësoi se udhëheqësit politikë duhet të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe në krijimin e një fryme më bashkëpunuese mes qytetarëve, duke u distancuar nga gjuha nxitëse dhe përçarëse.
“Kur një familje emblematike, kur një personalitet që i ka kontribuuar vendit mund të fyhet, detyrë është e udhëheqësit që të distancohet dhe të kërkojë paqe, shtensionim të situatës dhe angazhim më të përbashkët në një mirëkuptim të qytetarëve”, tha Ahmet Isufi, kandidat i AAK-së për deputet.






