Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës më 16 gusht, duke kërkuar rikthimin e rendit kushtetues.
Në një konferencë për media të shtunën në Kuvend, Ismaili ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se përmes moskonstituimit të Kuvendit po mban vendin në krizë, ndërsa ka thënë se qytetarët po i bartin pasojat e kësaj situate.
“Një javë jashtë afatit kushtetues, për herë të parë në Kosovë, suspendohet Kushtetuta dhe Kuvendi me vetëdije për axhendën personale të një individi. Albin Kurti, përmes Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstituive, sipas fushës, jo ndonjë funksion tjetër. Po e mohon të suspenduar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mos-konstituimi i Kuvendit nuk do të thotë vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit. Por edhe mohim i zërit të qytetarëve apo kërkesave dhe nevojave të tyre. Ndërkohë që Albin Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po e paguajnë çmimin. Kjo nuk është teori apo akuzë partiake. E thotë. Jo më lart se dje lexuam lajme për mungesë të barnave të rëndësishme në QKUK për pacientë me kancer. Mungesa e një Kuvendi funksional. I lë qytetarët në mëshirën e këtyre ministrave pa mandat, që abuzojnë me paranë publike e pasojat janë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Mijëra familje kosovare paguajnë çmime të larta për shërbime shëndetësore, e në ndërkohë pasurojnë individë e kompani të afërta me pushtetin”, tha ai.
Ismaili ka kritikuar edhe gjendjen në sektorët e energjisë dhe arsimit, duke e lidhur atë me krizën institucionale.
“Kriza e njëjtë është me energjinë, ku miliona e miliona euro nga xhepi i qytetarëve janë duke shkuar direkt në xhepat e kompanive të afërta me pushtetin. Kriza e njëjtë është në arsim. Ku asnjë projekt për përmirësimin e cilësisë së arsimit apo digjitalizim të arsimit nuk është duke ndodhur. Kjo tani është Kosova; kjo është Kosova e krizave shumëvjeçare. Të Albin Kurtit. Çdo qytetar sot kudo që flisni me ta, janë të bindur që krizat janë duke dobësu Kosovën. Përpos Albin Kurtit, i cili sillet kinse çdo gjë është normale dhe punët janë duke shkuar mirë. E tash, a e futi Kosovën në krizën e re nga shkelja e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese? Natyrisht me të njëjtin mentalitet ata po shpërfillin edhe rregulloren e Kuvendit dhe detyrimin për vazhdimin e seancës konstituive”, tha ai.
Ai ka thënë se PDK-ja ka qenë për herë të tretë në sallën e Kuvendit dhe ka kërkuar vazhdimin e seancës, ndërsa ka njoftuar për kërkesën e re drejtuar Deharit.
“Dje e gjithë Kosova e pa kontrastin. PDK ishte në sallën e Kuvendit për herë të tretë. Ne erdhëm, ata nuk erdhën. Ne kërkuam Kuvend, funksional, për të gjithë partitë politike. Ata zgjodhën bllokadën. Ne kërkuam Kushtetutën, respektimin e saj. Ata po vazhdojnë me kalkulim politik e partiak. Sot dua t’ju njoftoj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht. Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por në njëjtën kohë, Kosova nuk mundet të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë; nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë. Dhe nuk do ta lejojmë. Prandaj, z. Kurti, eja në Kuvend. Thirrne seancën. Mos ik. Mos u fsheh pas Avni Deharit. Konstituoje Kuvendin. Respektoje Kushtetutën”, tha ai.






