Guti ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e rezultatit të Topit të Artë të këtij viti, duke e cilësuar si një “rastësi të pabesueshme” faktin që Harry Kane e fitoi çmimin pikërisht pasi ceremonia u zhvendos nga Parisi në Londër.
Ish-mesfushori i Real Madridit dhe Spanjës e ndoqi ceremoninë, ku Kane mposhti Kylian Mbappen dhe Lamine Yamalin për ta fituar çmimin më të rëndësishëm individual në futboll.
Kane ishte favorit për ta fituar Topin e Artë, dhe kishte arsye të forta për këtë.
Ai e përfundoi sezonin 2025/26 me 73 gola për klubin dhe kombëtaren, një shifër që është tejkaluar vetëm nga Lionel Messi, i cili shënoi 82 gola gjatë sezonit 2011/12.
Pavarësisht statistikave të tij, ish-mesfushori i Real Madridit dhe Spanjës, Guti, nuk është bindur nga rezultati.
Duke folur në emisionin “El Chiringuito”, pas shpalljes së fituesit, ai e bëri të qartë qëndrimin e tij.
“Për 70-vjetorin, rastësisht e zhvendosin ceremoninë në Londër dhe e fiton dikush nga Londra. Është një rastësi e pabesueshme që ceremonia zhvendoset në Londër dhe çmimin e fiton dikush nga Londra, apo jo? Dua të them, është sikur gjithçka të jetë…”, deklaroi ai.
Një nga analistët e tjerë të “El Chiringuito” ndërhyri duke thënë fjalën “e kurdisur”, ndërsa Guti u pajtua me të.
“Plotësisht. Absolutisht. Ky është mendimi im dhe kështu kam menduar për këtë çmim prej kohësh”, u shpreh ish-futbollisti spanjoll.
Guti foli edhe për reagimin e menjëhershëm të Kane pas shpalljes së fituesit.
“Po ju them, kur ia pashë fytyrën Harry Kanes në momentin kur u shpall fitues, e kuptova se ai kurrë në jetën e tij nuk kishte menduar se do ta fitonte. Kurrë”, tha ai.
Ish-mesfushori i Real Madridit iu rikthye reagimit të sulmuesit anglez, duke shtuar: “Unë mendoj se ai priste që Lamine Yamal dhe Mbappe të përfundonin para tij. Mjafton t’ia shikoni fytyrën”.
Gara për Topin e Artë ishte vërtet e ngushtë. Pas ceremonisë, kryeredaktori i revistës “France Football”, Vincent Garcia, zbuloi se sa i vogël ishte dallimi në pikë mes Kane dhe Mbappes.
“Këtë vit kishte disa kandidatë seriozë. Dy më të afërtit ishin dy të parët, Harry Kane dhe Kylian Mbappe, dhe gara mes tyre u vendos nga një diferencë shumë e vogël”, deklaroi ai.
“Dallimi në pikë mes Kane dhe Mbappes ishte më i vogël sesa diferenca mes Rodrit dhe Viniciusit në vitin 2024, e cila ishte 41 pikë, dhe atëherë konsiderohej një diferencë shumë e ngushtë”, shtoi ai.
Ai shtoi: “Ishte jashtëzakonisht e ngushtë. I ndiqja rezultatet në kohë reale gjatë muajit të votimit. Kylian ishte në krye për një kohë të gjatë, por Harry Kane u rikthye në garë dhe, në fund, gjithçka u vendos nga një numër shumë, shumë i vogël pikësh”.






