Inteligjenca Artificiale po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një nga faktorët kryesorë që po ndikon në mënyrën se si njerëzit punojnë dhe zhvillojnë profesionet e tyre.
Nga mjekësia, arsimi dhe gazetaria, deri te teknologjia, biznesi dhe arti, përdorimi i saj ka sjellë ndryshime të mëdha në kryerjen e detyrave të përditshme.
Ajo po e lehtëson punën, po rrit shpejtësinë dhe efikasitetin, por njëkohësisht po krijon edhe sfida të reja për tregun e punës. Në ditët e sotme, profesionistët po përballen me nevojën për t’u përshtatur me teknologjitë moderne, pasi inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e pandashme e jetës dhe karrierës së tyre.
Sa po përdoret AI në gazetarinë kosovare?
Profesori i gazetarisë, Dren Gërguri, për Klankosova.tv deklaroi se një studim i Institutit të Medias së Departamentit së Gazetarisë ka gjetur se integrimi në redaksitë e lajmeve në televizionet e Kosovës është në 42%, që, sipas tij, është përqindje shumë më e ulët në krahasim me redaksitë e televizioneve në vendet më të zhvilluara sesa Kosova.
“Kjo, nën 1 tregon shkallën e ulët të integrimit. Nën 2 , çka është gjetur në hulumtim është edhe pjesa se si ka pak trajnime të gazetarëve nga mediat tona për risitë që i sjell Inteligjenca Artificiale, veglat e IA-së që mund të jenë në ndihmë të punës së përditshme të gazetarëve, dhe gjithashtu mungon një udhëzues prej vet medive për gazetarët, për mënyrën se si ata duhet ta përdorin Inteligjencën Artificiale”, tha ai për Klankosova.tv.
Sipas Gërgurit, pasqyra komplete e IA-së në gazetarinë kosovare ka pak shtrirje sistematike në mënyrë të organizuar, dhe më shumë është në baza individuale.
Keqpërdorimi i AI-së
Profesori Gërguri, për Klankosova.tv ndër të tjera potencoi se përpos që Inteligjencën Artificiale e sheh si një vegël të re që është në ndihmë të njerëzimit në përgjithësi, dhe profesioneve të ndryshme, ai shtoi se si gjithçka tjetër që ka efekte pozitive në shoqëri dhe mund të përdoret për të mirë, e ka edhe anën e errët, anën e keqpërdorimit.
“Në rastin e Inteligjencës Artificiale mund të kemi rastet kur gjenerohen përmbajtje qoftë video, audio apo fotografi, apo edhe tekst, të cilat nuk janë të vërteta por paraqiten si të vërteta, dhe tashmë përsosja e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, po e bën çdoherë e më të vështirë që ne ta dallojmë kur një përmbajtje është e gjeneruar me AI, dhe nuk është reale”, tha ai.
Pos tjerash, Gërguri tha çka është edhe më e rrezikshme kur vjen puna te AI, është krijimi i “deepfake”.
“Tjetra, që është edhe më e rrezikshme, dhe që po e shohim më të shpeshtë në mediat sociale sidomos, është krijimi i ‘deepfake’, qoftë me humor, apo për qëllime të ndryshme politike, por të cilat ndikojnë në perceptimet, dhe bindjet e qytetarëve për çështjet e caktuara, dhe kjo është një formë e rrezikshme e manipulimit që mund të iu bëhet qytetarëve, për t’i orientuar ata në çfarëdo mënyre, në procese të ndryshme e sidomos tani që jemi në prag të fushatës zgjedhore. Këto ‘deepfake’ mund të kenë ndikim të madh në shoqërinë tonë për shkak se ne e shohim përdorimin në shkallë të lartë të internetit, kohën e madhe që qytetarët tanë e kalojnë në rrjetet sociale”, tha ai.
A mund ta zëvendësojë Inteligjenca Artificiale punën e gazetarit?
Profesor Gërguri për Klankosova.tv deklaroi se profesioni i gazetarisë, për momentin nuk mund të zëvendësohet nga Inteligjenca Artificiale, pasi sipas tij, asnjë model i gjeneruar me IA nuk mund të shkruaj lajm.
“Nuk e shoh Inteligjencën Artificiale dhe veglat e IA-së si zëvendësim për gazetarin, por patjetër si një mjet ndihëm shumë të rëndësishëm, nga i cili gazetarët duhet të përfitojnë. Nuk shoh zëvendësim, e sidomos në gjuhën shqipe, kjo është më e vështirë, sepse nuk ka modele të cilat mund të gjenerojnë lajme, raporte, pa gabime, dhe këtë e kemi tashmë të testuar në gjuhën shqipe, se si as as Chat GPT, Gemini, Proplexity, Deepseek, ku departamenti i gazetarisë ka bërë një studim, dhe është parë që asnjëri prej modeleve nuk mund të shkruaj lajm. Gabimet janë të ndryshme, huqjet janë të ndryshme, ajo që ne kemi kuptuar është se nuk mund të mbështetemi në to, duhet prapë puna e gazetarit/njeriut”, deklaroi Gërguri.
Nga ana tjetër, hulumtuesi dhe gazetari nga ‘Hibrid’, Festim Rizanaj, tha për Klankosova.tv foli për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në tregun e punës në përgjithësi.
Ai tha se IA po sjell ndryshime të thella në tregun e punës duke automatizuar shumë detyra rutinore dhe duke rritur ndjeshëm produktivitetin.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale po e zhvendos fokusin nga puna manuale dhe përsëritëse drejt punëve më analitike dhe kreative. Në të njëjtën kohë, po krijon nevojë për aftësi të reja digjitale në pothuajse çdo sektor.
Cilat profesione po preken më shumë nga zhvillimi i Inteligjencës Artificiale?
Sipas hulumtuesit Rizanaj, profesionat më të ekspozuara ndaj IA-së janë profesionet që përfshijnë detyra të standardizuara dhe të përsëritshme, si administrata, futja dhe përpunimi i të dhënave, shërbimi ndaj klientit dhe disa funksione të marketingut digjital. Gjithashtu, sipas tij po preken edhe fusha si gazetaria bazike, kontabiliteti i thjeshtë dhe disa segmente të programimit.
Ndërsa se a ekziston rreziku që AI të zëvendësojë plotësisht disa profesione në të ardhmen, gazetari u shpreh optimist lidhur me këtë zhvillim.
“Po, ekziston një rrezik real që disa profesione shumë të automatizueshme të zëvendësohen pothuajse tërësisht, sidomos ato që nuk kërkojnë ndërveprim njerëzor apo vendimmarrje komplekse. Megjithatë, në shumicën e rasteve, AI më shumë do të ndryshojë mënyrën e punës sesa të eliminojë krejtësisht profesionet”, tha ai për Klankosova.tv.
Cilat punë konsiderohen më të sigurta dhe më të vështira për t’u zëvendësuar nga AI?
Gazetari Rizanaj thotë se profesionet më të sigurta dhe më të vështira për t’u zëvendësuar nga AI, konsiderohen profesionet profesionet që kërkojnë inteligjencë emocionale, ndërveprim njerëzor dhe vendimmarrje komplekse, si mjekësia, psikologjia, arsimi dhe puna sociale.
Po ashtu, sipas tij, rolet kreative dhe strategjike janë më rezistente, sepse kërkojnë intuitë, përvojë dhe gjykim njerëzor.
AI – më shumë vende pune apo do të shkaktojë papunësi?
Integrimi i Inteligjencës Artificiale, sipas hulumtuesit Rizanaj, pritet të krijojë sa vende punë, po aq të shkaktojë edhe papunësi.
Sipas tij, disa vende pune do të zhduken për shkak të automatizimit, por njëkohësisht do të krijohen profesione të reja që lidhen me zhvillimin, menaxhimin dhe kontrollin e AI. Në afatgjatë, ndikimi do të varet nga sa shpejt shoqëria përshtatet me këto ndryshime.






