“Inatet personale”, gjuha fyese e ofenduese në fushatë e papranueshme

- Advertisement -

Gjuha ofenduese përdoret shpesh nga anëtarët e subjekteve politike.

Madje ajo bëhet edhe më e rëndë gjatë fushatës zgjedhore, siç tashmë është dëshmuar.

Ndonëse jo ofendime, por ende pa nisur zyrtarisht fushata, subjektet politike kanë nisur të hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës.

Praktika të tilla po konsiderohen si jo e duhur nga njohësit e politikave vendore.

Sipas profesorëve dhe njohësve të politikës, politikanët duhet ta kuptojnë peshën që mbajnë fjalët e tyre në publik.

“Në prag të fushatës zgjedhore është e rëndësishme që përfaqësusit politikë të kuptojnë që fjala e tyre ka ndikim të madh te qytetarët. Fushata duhet të shërbejë si hapësirë për prezantimin e ideve, vizioneve, dhe duke u fokusuar në çështje të rëndësishme për jetën e qytetarit. Kjo do të ndikonte që edhe qytetarët të ndihen të përfshirë dhe të jenë të motivuar të marrin pjesë në këtë proces demokratikë”, ka deklaruar Dren Gërguri, njohës i çështjeve politike.

Fushata zgjedhore ka për qëllim të bind qytetarin të shkojë drejtë një programi politik, por sipas ish-diplomatit Blerim Canajt, ajo po shfrytëzohet për gjuhë polarizuese.

“Jemi prej shoqërive të pakta në Evropë që votën e japin, jo për të gjetur zgjidhje, por për të përmbushur inatet personale. Pikërisht këtë po përpiqet ta arrijë sidomos zoti Kurti, sepse kam përshtypje që edhe më tutje nuk ka ndonjë program që do ta shpalosë”, ka theksuar Blerim Canaj, njohës i çështjeve politike.

Canaj e konsideron absurde edhe pjesën që lideri i Vetëvendosjes, vazhdon me akuza ndaj partive opozitare për zgjedhjet e reja.

“Është absurd që një parti që ka fitu 51 për qind, në vend se të jap ide si të dalim nga kjo situatë, po mundohet ta gjej një fajtorë. E lehtë ta fajësosh dikë për ta mbrojtur vetveten, dhe kjo mendoj se është një lloj strategjie”, ka deklaruar Blerim Canaj, njohës i çështjeve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 28 majin si datë zyrtare për fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të 2026-tës.

Të ngjashme

Të fundit