6.2 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

IKD: Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve shkel Kushtetutën

- Advertisement -

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën ka publikuar raportin “Llogaridhënia”, i cili trajton problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (LPDGjP).

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, fillimisht theksoi se ndryshimi i këtij Projektligji është iniciativë e vonuar nga Ministria e Drejtësisë, pasi nevojat për amendamentimin e këtij Ligji ishin paraqitur qysh në vitin 2021, por të cilat nuk ishin adresuar nga MD-ja, e cila e kishte ndryshuar këtë Ligj në vetëm një nen të tij.

Për çka, Shala tha se IKD kishte paraqitur 12 faqe komente për nevojën që ky Projektligj të ndryshohet.

“Në kohën kur dokumenti për konsultim publik lidhur me LPDGjP është publikuar, MD drejtohej nga zotëri Selim Selimi, i cili më 22 mars 2021 u pasua nga ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu. Këto nevoja në raport me avancimin e LPDGjP janë injoruar nga MD, si në mandatin e Selimit ashtu edhe në mandatin e Haxhiut. Kjo e fundit, ka dërguar për miratim në Qeveri Projektligjin me vetëm një ndryshim, duke injoruar të gjitha shqetësimet e ngritura nga IKD”, u shpreh ai.

Shala shtoi se nevojat për reformimin e sistemit të llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit kanë qenë evidente edhe në atë kohë. Megjithatë, sipas tij, MD-ja injoroi të gjitha këto nevoja, duke përmbushur vetëm formalisht agjendën legjislative.

“Asokohe, MD theksonte se rishikimi i tërësishëm i këtij Ligji do të bëhet pas përfundimit të disa proceseve në MD, siç janë Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, Vettingu, etj. Megjithatë, përderisa po rishikohet ky Ligj, Vettingu jo që nuk ka përfunduar, por madje as nuk ka filluar”, ka shtuar hulumtuesi Shala.

Në anën tjetër, Shala tha se dispozitat e Projektligjit aktual janë të përfshira në shkelje kushtetuese. Ai tha se në Ligjin bazik shkelja e ligjit listohet si shkelje disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë [neni 5.1.1.2. dhe neni 6.1.1.2.].

“Projektligji e zëvendëson këtë shkelje me vërtetimin se gjyqtari, respektivisht prokurori ka pasuri të pajustifikueshme. Neni 2 i Projektligjit nënvizon se “Në nenin 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. të ligjit bazik, ndryshohet si në vijim: “vërtetohet se ka pasuri të pajustifikuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”, derisa neni 4 i këtij Projektligji nënvizon se “Në nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. të ligjit bazik, ndryshohet si në vijim: “1.2. vërtetohet se ka pasuri të pajustifikuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”, theksoi Shala.

Ai shtoi se kjo dispozitë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi që pasuria e pajustifikueshme nuk përfshihet në asnjërën prej dy kategorive ku përcaktohet shkarkimi i gjyqtarëve apo prokurorëve.

Gjithashtu, Shala shtoi se MD-ja i është referuar vetëm draft-amendamenteve, të cilat nuk janë miratuar dhe si rrjedhojë, nuk janë pjesë e Kushtetutës.

Ai tha se bëhet fjalë për amendamentet kushtetuese për të cilat Gjykata Kushtetuese dha dritën e gjelbër për miratimin e tyre, por se të njëjtat nuk u miratuan asnjëherë.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), të martën publikoi raportin “Llogaridhënia” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual). /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit