Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar tërheqjen nga nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke lënë të kuptohet se vendimi është ndikuar nga mesazhet e vendeve mike të Kosovës.
Duke folur në Debat Plus të TV Dukagjinit, Haliti ka thënë se beson që përfaqësuesit e vendeve mike kanë komunikuar qëndrimet e tyre me deputetët.
“Por, ta kemi parasysh që po besoj që shumicën e anëtarëve të grupit parlamentar i kanë thirr me pi kafe në do vena.
Unë po besoj që vendet mike që janë këtu, i kanë çu mesazhet e tyre. Mesazhet përmes kafes këta i dinë fare i kanë marrë. Po besoj se për atë e kanë tërheq ligjin”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka thënë se do ta mbështeste ligjin nëse Kosova do të kishte mundësi që, përmes tij, t’i detyronte Dhomat e Specializuara të zbatonin dispozitat e parapara.
“Sikur Kosova t’i kishte mundësit që në bazë të atij ligji, të i detyrojë GJS, unë jam i sigurt që ky i qëndron asaj, i qëndroj edhe unë, i qëndron edhe PDK”.
PDK-ja kishte kërkuar fillimisht që presidentja Justina Shiroka-Pula ta kthente në Kuvend ligjin e miratuar në tetor, me synimin për të bërë plotësime të mëvonshme. Megjithatë, pas dakordimit me kryeministrin Albin Kurti, palët u pajtuan për një nismë të re ligjore.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se drafti i ri do të përfshijë propozimet e partisë dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.






