I akuzuari për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti pranon fajësinë, kërkon dënim të butë

- Advertisement -

I akuzuari Liman Berisha, për kanosjen e moderatorit të Klan Kosovës, Alaudin Hamiti, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Këtë deklarim ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori.

Ai deklaroi se ndihet fajtor dhe shprehu pendesë për rastin e ndodhur, duke theksuar se nga ai incizim nuk ka pasur asgjë kundër të dëmtuarit Alaudin Hamiti.

Berisha kërkoi falje ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe i propozoi gjykatës që gjatë matjes së dënimit t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Mbrojtësi i të akuzuarit tha se e mbështet deklarimin e klientit të tij, duke shtuar se ai nuk ka pasur ndonjë qëllim për rrezik real apo serioz ndaj të dëmtuarit, dhe se nga deklarimi i tij vërehet se bëhet fjalë për një reagim emocional.

Po ashtu, ai i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë, si dhe të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij.

Prokurori i shtetit nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke theksuar se ai mbështetet në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë caktimit të dënimit duhet të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndërkaq, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Blinera Osmani, tha se e mbështet në tërësi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se si pasojë e kërcënimit serioz, i dëmtuari ka përjetuar ndjenjë të vazhdueshme pasigurie për jetën dhe integritetin e tij personal. Sipas saj, kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të tij, duke i shkaktuar ankth, stres të vazhdueshëm dhe çrregullim në jetën e përditshme. Ajo propozoi që gjykata t’i shqiptojë të akuzuarit dënimin në përputhje me kërkesën e prokurorisë.

Pala e dëmtuar, Alaudin Hamiti, deklaroi se e përkrah përfaqësuesen e tij dhe shtoi se dëshiron të dijë arsyet e kërcënimit, pasi që nuk e njeh të akuzuarin dhe nuk ka kërcënuar askënd.

Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjyqtari i rastit, i cili tha se lidhur me masën e arrestit shtëpiak do të vendoset me rastin e shpalljes së aktgjykimit. raporton “Betimi për Drejtësi”. /Klankosova.tv

Të ngjashme

Të fundit