Deputeti nga PDK, Enver Hoxhaj ka reaguar në ditën e dytë të qëndrimit të Jakup Krasniqit në Kosovë, i cili ka ardhur për një vizitë për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Në një postim, Hoxhaj e ka cilësuar kthimin e Krasniqit pranë familjes si një moment njerëzor që, sipas tij, dëshmon çmimin e padrejtë që po paguajnë ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë.
Hoxhaj ka theksuar rolin e Krasniqit në prezantimin e luftës për liri para botës, ndërsa ka shprehur besimin në pafajësinë e tij dhe kritika ndaj Gjykatës Speciale.
Sipas Hoxhajt, kjo gjykatë përfaqëson padrejtësinë më të madhe që po i bëhet Kosovës dhe çlirimtarëve të saj.
“Ne jemi me ty, Bacë Jakup. Sot, nesër, gjithmonë”, ka shkruar Hoxhaj në përmbyllje të reagimit.
Shkrimi i plotë:
Pas kaq vitesh larg familjes, larg Kosovës, larg shtëpisë së vet, Baca Jakup dje dhe sot u kthye për pak orë pranë atyre që i do më së shumti.
Kjo nuk është vetëm një vizitë. Ky është një moment njerëzor, që ju tregon të gjithëve çmimin e padrejtë që po paguajnë çlirimtarët tanë në Hagë. Jakup Krasniqi nuk është zëri i lirisë, është njeriu që i dha fjalë luftës sonë për liri para gjithë botës.
Ne besojmë në pafajësinë e tij. Ne besojmë në drejtësi, por kjo Gjykatë është padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kosovës dhe çlirimtarëve të saj. Ne jemi me ty, Bacë Jakup. Sot, nesër, gjithmonë






