Hoxhaj për vendimin e PDK-së: Gabim fatal që u kërkua tërheqja e Ligjit për Specialen

- Advertisement -

Ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kërkesa e partisë së tij që Ligji për Gjykatën Speciale të kthehet në Kuvend ka qenë një “gabim fatal”.

I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Hoxhaj tha se ligji përbën një pozicionim politik në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë dhe se PDK-ja duhet të vazhdojë angazhimin për forcimin e tij.

“Së pari, nuk kemi hequr dorë prej ligjit, e as nuk e kemi anuluar. Ne e shohim ligjin si një pozicionim politik për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Hagë. Moralisht, duhet të luftojmë edhe më tutje si PDK që ta forcojmë këtë ligj”, tha Hoxhaj.

Ai u shpreh i bindur se ligji javën e ardhshme do të jetë në Komisionin për Legjislacion.

“Jam më se i bindur se javën e ardhshme ligji do të jetë në Komisionin për Legjislacion. Kërkesa jonë që ky ligj të tërhiqet ka qenë një gabim fatal, ka qenë e panevojshme dhe e pa domosdoshme”, deklaroi ai.

Hoxhaj tha se mendimet për një ligj më të fortë kanë ekzistuar edhe natën kur ai është miratuar, por sipas tij, është e rëndësishme që ligji të miratohet sa më shpejt.

“Mendimet që ligji të jetë më i fortë kanë ekzistuar edhe natën kur e kemi miratuar ligjin. Në bindjen time të plotë, me rëndësi është që ne ta kemi këtë ligj të miratuar sa më shpejt, sepse tërheqja e tij ka qenë gabim fatal”, tha ai.

Sipas Hoxhajt, përtej qëndrimit të tij se kërkesa ishte gabim, urgjente për PDK-në është që ligji të kthehet dhe të miratohet në Kuvend.

PDK-ja i kishte kërkuar presidentes që të mos e dekretonte ligjin, por ta kthente atë në Kuvend.

Të ngjashme

Të fundit