Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka lartësuar lartë veprën e Ramë Bllacës, të cilin ai e quajti si njërin nga heronjtë më të shquar të Kosovës në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe ndër figurat më të shquara të parlamentarizimit të kësaj kohe.
Hoxhaj ka shkruar në Facebook se Bllaca “si deputet, u bë i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë jugosllave.”
“Sot, nderuam Ramë Bllacën, njëri nga heronjtë më të spikatur të Kosovës në gjysmën e parë të shekullit 20 dhe ndër figurat më markante të parlamentarizimit të kësaj kohe! Ramë Bllaca, si deputet, u bë i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë jugosllave. Ai u bë veçanarisht i njohur duke i thënë jo shpërguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Kosova dhe duke i thënë jo kolonizimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë së Pashiqit. Kjo kauzë e tij politike u bë edhe vepra e madhe kombëtare e tij në ndalimin e shpërnguljes së bashkëkombësve të vet dhe pengimin e planeve serbe për të spastruar Kosovën nga shqiptarët. Kështu, kur shpërnguljet ishin shumë masive dhe po arrinin shifra alarmante, ato fllluan të ndalonin, ku pjesa dërmuese e shqiptarëve nuk braktisën Kosovën, ndonëse shumë nga ta u shpërngulën në Turqi, ku sot jetojnë.” – shkroi ndër të tjera ish-kryediplomati.