Analisti politik, Yll Hoxha, në emisionin “Debat Plus” ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në shkuarjen drejt zgjedhjeve të reja, por sipas tij, nuk është e vetmja përgjegjëse për situatën politike të krijuar.
Hoxha tha se rrezikimi i fondeve për Kosovën është real dhe se ngërçi politik mund të ketë pasoja konkrete për vendin.
“Jo vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte shtytëse e zgjedhjeve, por ishte një nga shtytëset e zgjedhjeve. Rrezikimi i fondeve është eminent, i vërtetë dhe mund të ndodh praktikisht”, deklaroi Hoxha në “Debat Plus”.
Ai theksoi se një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi LVV-në për mënyrën se si ka vepruar pas zgjedhjeve të shkurtit, duke refuzuar bashkëpunimin me disa subjekte politike opozitare.
“Kur është dashur një partneritet për krijimin e qeverisjes dhe shumicës, por edhe për 80 votat për presidentin, LVV trokiti në derën e LDK-së dhe mohoi çdo lloj bashkëpunimi me PDK-në dhe AAK-në”, tha ai.
Sipas Hoxhës, një qasje e tillë politike ka rrezikuar me vetëdije krijimin e shumicës parlamentare, duke përjashtuar një pjesë të konsiderueshme të spektrit politik nga procesi i ndërtimit të institucioneve.
Ai foli edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se nuk pati angazhim të hershëm politik për këtë proces.
“Tek zgjedhja e presidentit do të mund të kishte një angazhim fillestar, por u vendos që fillimisht të konstituohet Kuvendi, pastaj të bëhet qeveria, të votohet buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare, e vetëm më pas çështja e presidentes. Vjosa Osmani u la anash dhe nuk u tentua të shtyhet fare kjo çështje”, u shpreh Hoxha në “Debat Plus”.






