Dalja nga Kosova iu ndal në Merdare.
Feim Sali u arrestua më 13 gusht në këtë pikë kufitare, nën dyshimin për spiunazh për BIA-n Serbe.
Para tij, për spiunazh ishte akuzuar edhe Hysri Selimi.
Madje, ish-pjesëtari i ISIS-it, në përfundim të gjykimit, e konfirmoi vet se kishte qenë pjesë e BIA-s serbe.
E edhe në prill të vitit 2026, një tjetër rast për spiunazh përfundoi me aktgjykim dënues.
Ish-zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, u dënua me gjashtë vjet burgim për këtë vepër penale.
Këto janë vetëm tri nga rastet e fundit të spiunazhit, për të cilat u angazhuan organet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë.
Këto raste, sipas avokatit Arbër Jashari, tregojnë se në vitet e fundit institucionet janë marrë më shumë me këtë vepër penale.
“Është për t’u inkurajuar që shteti i Kosovës, sidomos në tri vitet e fundit, ka pasë një përparim jashtëzakonisht të madh në luftimin e këtij lloji të kriminalitetit. Këtij lloji të kriminalitetit i cili më parë nuk ka qenë shumë i njohur. Ka qenë vetëm si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, por para vitit 2023 pothuajse shumë pak njerëz janë arrestuar, janë gjykuar e aq më pak dënuar për vepra të tilla penale dhe kjo tregon që ne si shtet ndoshta në të kaluarën nuk kemi qenë shumë vigjilentë ndaj këtij lloji të kriminalitetit”, thotë avokati, Arber Jashari.
Për këtë vepër penale, avokati Jashari tregon se Kodi Penal parasheh dënime të rënda.
“Varësisht prej formës së kryerjes së kësaj vepre, dënimi minimal mund të jetë 5 vjet, por maksimali mund të arrijë në 10, 12, e në raste të caktuara, në kohë luftash ose në gjendje jo të zakonshme, mund të variojë edhe me dënime shumë më të larta”, shprehet ai.
Informacionet që shpërndajnë personat që janë të angazhuar si spiun janë mjaft të ndjeshme për shtetit.
Profesori Fatmir Çollaku tregon se në këtë mënyrë përfitojnë shtetet armike.
“Ato informacione te besueshme janë të interesit kombëtarë dhe ato informacione nëse servohen, jepen dikujt tjetër me qëllime te përfitimit çfarëdo qoftë natyre ai përfitim konsiderohet qe i ka bo dëm shtetit tonë dhe për këtë arsye ata persona dyshohen që janë kryer të këtyre veprave penale të spiunazhit dhe pa dyshim që janë të dëmshëm për sigurinë e Kosovës sepse shteti armik, shteti tjetër merr informacione qe s’janë publike dhe ku në bazë të cilave mund të krijojë një plan, skenarë me dëm të interesit nacional gjegjësisht në dëm të sigurisë nacionale”, thotë ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se përveç rasteve që tashmë janë bërë publike, nën hetim janë edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA. /Tëvë1/






