Organizatori i protestës ‘Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri i është bashkuar veteranëve në një protestë para institucioneve të vendit.
Ai tha se sot do jenë para Kuvendit e Qeverisë, që sipas tij, këto institucione nuk i dëgjuan protestuesit asnjëherë, transmeton Klankosova.tv.
“Sot u bashkova me veteranët pasi ishte një thirrje nga veteranët për protestë, ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore nga ora 12:00, e kjo nuk e përjashton njëra-tjetrën. Përmes kësaj kërkesë dhe këtij ndryshimi të Ligjit ne nuk mendojmë e as kërkojmë të ikim nga drejtësia, por përmes këtij ligji ne kërkojmë drejtësi të drejtë dhe të bazuar në fakte, e jo drejtësi të diktuar politikisht nga Serbia e Rusia”, u shpreh Haziri.
“Dje kur patën mundësinë ta votonin këtë ligj, filluan lojërat e tyre politike me leximin e parë të ligjit e pa leximin e dytë, duke vendosur kushte mbi kurrizin e UÇK-së, duke vendosur kushte mbi gjakun e dëshmorëve, duke tentuar të bëjnë pazar politik me Adem e Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin e Luan Haradinaj”, u shpreh ai.
Pos tjerash, Haziri tha se i vjen keq për të gjitha incidentet që ndodhën gjatë protestës së djeshme.






