Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në Bruksel me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe rrugën evropiane të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka vlerësuar miqësinë e gjatë ndërmjet dy vendeve, duke kujtuar mbështetjen që shqiptarët i dhanë Kroacisë gjatë luftës dhe faktin se Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që njohu pavarësinë e Kosovës, raporton IndeksOnline.
Ajo ka falënderuar Stierin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, fillimisht në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Kroacisë dhe tash si bashkëkryesues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.
Haxhiu ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës tashmë ka formuar delegacionin e tij në këtë komision dhe se është i gatshëm që takimi i radhës të mbahet sa më shpejt.
Gjatë takimit, ajo ka theksuar edhe përkushtimin e Kosovës për përmbushjen e detyrimeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e eurodeputetit kroat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi ynë për anëtarësim në BE. Theksova se jemi të përkushtuar t’i përmbushim detyrimet që vijnë me këtë rrugë dhe se përvoja e Kroacisë na vlen shumë. Kërkova edhe mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Me miq si Kroacia, rruga jonë evropiane bëhet më e lehtë”, ka shkruar ajo.






