Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendi tashmë është konstituuar pas zgjedhjes së katër nga pesë nënkryetarët e legjislativit.
Ajo tha se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së ka mbetur e paplotësuar, pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në seancën konstituive, por, sipas saj, sapo PDK ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të.
“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin. Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, shkroi Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale, duke theksuar se institucionet duhet të funksionojnë dhe procesi i funksionalizimit të tyre të vazhdojë pa vonesa.
“Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, tha Haxhiu.






