Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar ShSKUK-në dhe Klinikën e Mjekimit Intenziv për vdekjen e Jetart Berishës, i plagosur muaj më parë në Pejë.
Sipas Haxhiut, familjarët e tij kishin kërkuar ta dërgonin urgjentisht për shërim në Itali, por sipas tij Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv (MIQ) nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile.
“Vdekja e të riut Jetart Berisha erdhi pas një gjendje shëndetësore që kërkonte trajtim mjekësor profesional të avancuar dhe kjo nuk i’u mundësua ngq SHSKUK. SHSKUK dhe MIQ e neglizhoi trajtimin e Jetart Berishës. Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv – MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile”, ka shkruar Haxhiu, teksa ka kërkuar hetim nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
“Mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali sepse gjendja e tij kërkonte intervenim te avancuar mjekësor për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të Jetartit. Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë ‘se gjendja e tij është stabile’ Jetarti të ndërroj jetë?! Rasti i radhës për prokurori, për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Jetart Berishës. Sipas raporteve mjekësore të MIQ – SHSKUK, gjendja shëndetësore e Jetart Berishës ishte stabile dhe nuk planifikohej ndonjë intervenim dhe as nuk nënshkruanin për trajtim jashtë vendit”, u shpreh Haxhiu, duke ia bashkëngjitur edhe raportet e mjekëve të kësaj klinike.