Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kanë pasur informacione se gjatë tensioneve në Kuvend, përveç gjuajtjes me vezë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mund të kishte edhe veprime të tjera.
“Keni parasysh se, nga informacionet që i kemi pasur, ka pasur plane edhe për veprime të tjera. Prandaj, nuk na duhen situata tensionuese, përshkallëzimet, konfliktet fizike apo të tjera si këto”, tha Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që partitë politike të ulen në tryezë dhe të arrijnë një marrëveshje politike para vazhdimit të seancës konstituive.
Sipas Haxhiut, marrëveshja duhet të shmangë bllokadat institucionale dhe zgjedhjet e parakohshme, ndërsa presidenti duhet të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të Kushtetutës, Haxhiu tha se për këtë çështje duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.






