Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të Sinan Dautit.
Me këtë rast, ajo tha se sot jemi mbledhur këtu në Prekazin e Epërm, në një ditë të rëndë dhimbjeje dhe kujtimi, për t’i dhënë më në fund prehjen Sinanit 9 vjeçar, për trupin e të cilit nuk dinim asgjë për 27 vite.
U.D. Presidentja Haxhiu, më tej tha se Sinani më në fund po prehet në paqe në një vend që do ta vizitojnë jo vetëm të afërmit e tij, familja, por të gjithë shqiptarët nga të gjitha anët.
“Sinani ishte vetëm 9 vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen. Por, jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë. Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë. Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt, e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës ku edhe ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vrasja e tij edhe trupi i tij u zhduk”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej shtoi se për 27 vite me radhë, familja e tij jetoi mes dhimbjes duke pritur të dijë për trupin e tij, duke shtuar tutje se tani, me identifikimin e mbetjeve mortore në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, kjo pritje e gjatë mori fund dhe Sinani është kthyer në tokën e tij të lindjes.
“Sot nuk jemi këtu vetëm për një rivarrim. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e tij dhe për të kujtuar 1392 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, si dhe të gjithë civilët e pafajshëm që humbën jetën në atë periudhë të rëndë. Këto dëshmi janë të dhimbshme që mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës sonë kolektive. Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar. Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja tha se kujtimi i Sinanit mbetet një thirrje e përhershme për përgjegjësi, por edhe për drejtësi, një thirrje që asnjë familje tjetër të mos kalojë një dhimbje të tillë.






