Haxhiu ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave

- Advertisement -

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave.

Gjatë kësaj vizite, ajo u prit nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili i dëshiroi mirëseardhje dhe e falënderoi për mbështetjen që po i jep futbollit të vajzave.

Presidenti Ademi theksoi se paraqitjet e deritashme të Dardaneve kanë qenë shumë të mira dhe krenari për vendin, duke shprehur besimin se ato do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në të ardhmen.

“Vajzat tona me përkushtimin dhe rezultatet e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve. Uroj që me këtë formë të vazhdojnë edhe në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Ademi.

Në anën tjetër, u.d. Presidentja Albulena Haxhiu përgëzoi futbollistet dhe stafin teknik për punën dhe angazhimin, duke theksuar rëndësinë e suksesit të tyre për shtetin.

“Ju, së bashku me trajnerin tuaj, jeni duke e lartësuar emrin e shtetit tonë. Jeni frymëzim për shumë vajza në Kosovë dhe përtej, pasi sukseset tuaja tashmë janë vërejtur edhe ndërkombëtarisht. Ju dëshiroj shumë fat dhe sukses në ndeshjen e sotme. Do të vazhdoj t’ju mbështes në vazhdimësi, sepse suksesi juaj është edhe sukses i shtetit”, theksoi ajo.

Në emër të futbollisteve, kapitenia Erëleta Memeti falënderoi u.d. presidenten Haxhiu për vizitën dhe mbështetjen, duke e cilësuar atë si motivim shtesë për ekipin.

“E vlerësojmë shumë këtë vizitë. Për ne është motivim shtesë, pasi ne nuk e veshim këtë fanellë vetëm për veten, por për gjithë vendin dhe për të gjithë ata që na mbështesin në Kosovë dhe diasporë. Është nder për ne ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë”, u shpreh Memeti.

Të ngjashme

Të fundit