Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Zejnulla Gashin, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Haxhiu ka bërë të ditur se para marrjes së vendimit është bërë shqyrtimi i propozimit dhe dokumentacionit të dorëzuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe janë marrë parasysh informacionet relevante nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.
Ajo ka theksuar se, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e institucioneve të drejtësisë, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
Gjatë takimit, Haxhiu i ka uruar Gashit sukses në ushtrimin e kësaj detyre, duke theksuar se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Sipas saj, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës, dhunuesve dhe formave të tjera të kriminalitetit duhet të ketë një përgjigje të qartë nga organi i akuzës.
Haxhiu ka shprehur pritjen që Kryeprokurori i ri, Zejnulla Gashi, ta ushtrojë këtë përgjegjësi me integritet profesional e moral, paanshmëri dhe guxim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.






