6.3 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Haradinaj: Qeveria në vend që të bëhej aleate e mësimdhënësve, ajo i ka goditur në xhep e në dinjitet

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria aktuale në vend që të bëhej aleat i mijëra mësuesve dhe arsimtarëve, ajo gjatë gjithë mandatit të saj ka vazhduar t’i godasë ata në xhep e në dinjitet.

Haradinaj përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka thënë se Kosova renditet e fundit në listë për nga cilësia në arsim.

“Çdo fillim shtatori, ka qenë festë për mijëra nxënës, mësues dhe prindër, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor. Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor. Institucionet prestigjioze ndërkombëtare, e rendisin Kosovën në fundin e tabelës për sa i përket cilësisë në arsim, ndërsa statistikat flasin për mijëra nxënës e studentë, që brenda 2-3 viteve të fundit e kanë braktisur shkollën e Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se rritja e pagës prej 6.80 euro, ka qenë ofendimi më i madh për punëtorin e Kosovës.

“Qeveria aktuale, në vend që të bëhej aleat i mijëra mësuesve dhe arsimtarëve, duke i trajtuar ata me respekt e paga të dinjitetshme, ajo gjatë gjithë mandatit të saj ka vazhduar t’i godasë ata në xhep e në dinjitet, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, t’i shpallë armiqësore. Ofendimi më i rëndë për punëtorin e Kosovës, e posaçërisht për stafin mësimor, ka qenë rritja e pagave për 6.80 euro”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka uruar nxenësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor.

“Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat juve mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor, me shpresë që të jetë i fundit, kaq i vështirë e me këtë qeveri”, ka përfunduar Haradinaj

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit