Haradinaj komenton ridënimin e Thaçit: Këtu është dashur të shpallej thjesht pafajësia

- Advertisement -

Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, e cila dënoi ish-presidentin Hashim Thaçin me 17 muaj burgim, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçin me një vit burgim me kusht, kurse Isni Kilajn e shpalli të pafajshëm, ka reaguar edhe Nasim Haradinaj.

I ftuar në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Haradinaj ka komentuar vendimin e Gjykatës, duke shprehur bindjen se në këtë rast është dashur të shpallej pafajësia.

Ai ka ngritur dyshime se vendimi mund të ketë të bëjë edhe me përpjekjen për të relativizuar kohën e kaluar në paraburgim, si dhe ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar çështja e vizitave të privilegjuara.

“Po të kishte ndodhur ndonjë dënim më i madh, do ta kisha interpretuar ndryshe Apelin, në kuptimin se e di që apeli mund të fitohet. Andaj, me çdo kusht do ta ndalnin Thaçin, së paku do t’ia arsyetonin kohën sa ka qëndruar. Por kërkimi është: ku i kanë ata gjashtë vjet?”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se, sipas tij, vendimi është dashur të ishte pafajësi dhe ka kundërshtuar arsyetimin lidhur me përdorimin e vizitave të privilegjuara.

“Unë mendoj se, në këtë kuptim, këtu është dashur të shpallej thjesht pafajësia. Sepse fakti për të cilin thonë se e kanë dënuar është në kundërshtim edhe me të drejtat e të burgosurit politik në ato dhoma, në vizitat e privilegjuara, sepse ato vizita mund të përdoren për përgjime. Edhe aty ka shkelje të rregullave të vizitave të privilegjuara, shkelje të kompletuar të të drejtave të vetë të burgosurit”, u shpreh Haradinaj.

Në fund, Haradinaj ka pretenduar se në rastin e Thaçit është bërë një përjashtim sa i përket llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.

“Për Thaçin bënë një përjashtim, nuk do t’i llogaritet koha e paraburgimit”, ka thënë Haradinaj.

Të ngjashme

Të fundit