Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë mbetur më pak se shtatë orë për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt zgjedhjeve dhe se po i jep goditje UÇK-së dhe Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka bërë thirrje për bashkim të deputetëve dhe miratimin e ligjit, duke thënë se ai nuk është ligj i një partie politike, por i 91 deputetëve.
“Kanë mbetur edhe më pak se 7 orë kohë për ta votuar ligjin. Ky ligj nuk është i një partie politike, por i 91 deputetëve. Është shumë e pahijshme që të lihet në gjysmë ky ligj. Është koha që të bashkohemi e të mos turpërohemi para historisë, kështu do të duhej të ishte, për këtë jemi zgjedhur. Sot ranë maskat, Kurti e ktheu edhe ligjin edhe vendin. Kurti i dha një goditje të rëndë edhe UÇK-së, Kurti po e dërgon vendin në zgjedhje. Kjo është hera e 4-t që po e dërgon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës. Kjo shpjegohet kështu: ky do t’ia japë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon që ta zhbëjë Kosovën. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik. Ne, si Aleancë, kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi munduar që të shtrijmë dorën”, tha ai.
Haradinaj ka akuzuar Kurtin se, që nga 8 korriku, sipas tij, ka vepruar me qëllim të konsumimit të afateve kushtetuese.
“Gjithçka është bërë në bazë të skenarit të Kurtit. Prej 8 korrikut, Kurti është kujdesur që të konsumojë kohën kushtetuese. Edhe pyetjen që e ka dërguar sot u.d. presidentja ka mundur ta dërgonte para dy javësh. Pse e ka dërguar vonë? Që të fitojë edhe ndonjë ditë, që të bëhen zgjedhjet në dhjetor”, tha ai





