Hapet Panairi “Gratë në Biznes”, Kusari-Lila: Synojmë fuqizimin ekonomik të grave

- Advertisement -

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar Panairin “Gratë në Biznes”, raporton EO.

Në hapje të këtij panairi, ministrja në detyrë e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë atë gjatë tri ditëve sa do të jetë i hapur në kryeqytet për të parë nga afër punën e ndërmarrëseve vendore.

“Ashtu siç e thashë javën e kaluar, panairi për gratë në biznes, gratë artizanale është hapur tash edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ky panair këtu sot do të jetë i hapur për tri ditë rresht, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës që këto ditë të nxehta vere që janë në Prishtinë, që të vijnë të vizitojnë panairin, të shohin produktet nga gratë tona punëtore, e gjithashtu të dinë se kanë mbështetjen e plotë institucionale. Qeveria e Republikës së Kosovës intensivisht gjatë mandatit të kaluar ka punuar në fuqizimin ekonomik të grave. Nga numri i tërësishëm i të punësuarve sa ishte në vitin 2019 — 303 mijë — numri zyrtar i të punësuarve në Republikën e Kosovës është rritur në 410 mijë. Prej tyre, mbi 53 mijë janë gra dhe vajza të reja që kanë hyrë në tregun e punës”, tha ajo.

Ajo nënvizoi se sfidë mbetet ende aktivizimi i plotë i grave në tregun e punës, me synimin për të arritur barazinë e plotë gjinore.

“Thënë këtë, prapë numri total i grave në tregun e punës nuk është aty ku duam ta kemi. Vetëm 30% e grave të cilat janë aktive për tregun e punës (grave dhe vajzave) sot aplikojnë apo kërkojnë punë. Dhe synimi ynë është që ky numër të rritet deri sa të arrijë barazinë e plotë të djemve dhe burrave në tregun e punës. Me nisma sikur kjo për panairin e grave ndërmarrëse, me mbështetje të drejtpërdrejtë që Ministria e bën për bizneset e grave, me promovimin dhe ngritjen e vetëdijes te të gjithë qytetarët për rëndësinë e blerjes së produkteve vendore, synojmë që të fuqizojmë ekonominë e vendit, të rritim prodhimin vendor, e gjithashtu edhe të fuqizojmë gratë dhe vajzat në tregun e punës”, u shpreh ministrja në detyrë.

Kusari- Lila u zotua për vazhdimësinë e mbështetjes si brenda ashtu edhe jashtë vendit, përfshirë krijimin e platformave fizike e digjitale për shitjen e produkteve.

“Nuk do të ndalemi. E dimë se ka shumë punë për t’u bërë e gjithashtu edhe shumë rëndësi të krijojmë platforma në të cilat gratë dhe vajzat plasojnë produktet e tyre. Prandaj, prej platformave online e deri tek vendet e përcaktuara për shitjen e produkteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë t’i krijojmë këto mundësi, si dhe promovimin e këtyre produkteve jashtë vendit përmes mbështetjes së panahireve, të cilën Ministria që drejtoj e bën në vazhdimësi”, tha tutje ajo.

Ky panair do të jetë i hapur deri më 5 gusht.

Të ngjashme

Të fundit