Shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë” kanë hapur një ekspozitë të veçantë në nder të ditëlindjes së Shenjtores Nënë Tereza, raporton Ekonomia Online.
Ekspozita, e cila u organizua në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, përmban vepra të artistëve dhe të rinjve, të cilët kanë interpretuar figurën e Nënë Terezës përmes artit të tyre.
Veton Gusia i organizatës “Artistët për Artistë”, tha se organizime të tilla do të ketë edhe ditët në vazhdim.
“Kjo është ekspozitë pranë qytetarëve për me përjetuar dhe kujtuar ditëlindjen e Nënë Terezës, ky është vetëm një hap i vogël, ne do të vazhdojmë me organizime edhe më të mira, besoj që jeni ndarë të kënaqur më këtë ekspozitë”, u shpreh ai.
E profesori Hajrush Fazliu, tha se organizimi i tillë do të mbahet në mbrëmje nga ora 20:00 në Galerinë e Arteve në Prishtinë.
“I përgëzoj për iniciativën e marrë, ky event nuk do të mbarojë këtu, sonte në orën 20:00 në galerinë më të mirë të Ballkanit, dhe aty do të barten punimet dhe do të jetë një nderë dhe respekt për artistët e rinj që na kanë nderuar sot”, deklaroi ai.