Shukri Buja, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i degës së kësaj partie në Lipjan, ka kritikuar vendimet politike të ish-kryetarit Bedri Hamza, duke folur edhe për dorëheqjen e tij dhe ushtrimin e detyrës së kryetares nga Vlora Çitaku.
Në një intervistë në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Buja ka thënë se Hamza ka bërë gabime të mëdha politike gjatë udhëheqjes së partisë, duke përmendur qëndrimet e PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe takimet me partitë e tjera për çështjen e ligjeve.
Ai ka theksuar se, sipas tij, dorëheqja e Hamzës nuk ka ardhur si rezultat i presionit të ligjit, por i gabimeve politike.
“Bedri Hamza mbi bazat statutare, dhe unë jam strikt me ia respektu statutin. Bedri Hamza është kryetari i partisë deri në ofrimin e dorëheqjes para Konventës. Nuk ka qenë presioni i ligjit që Bedri Hamza të japë dorëheqje, por kanë qenë gabimet politike trashanike”, ka deklaruar Buja.
Duke folur për këto gabime, Buja ka përmendur qëndrimin e PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar si të paqëndrueshëm veprimin e partisë në raport me pretendimet për shkelje kushtetuese.
“Ta marrim një shembull: të dalim e të themi se kanë kaluar 30 ditë dhe është shkelur Kushtetuta për konstituimin e Kuvendit, e pastaj të dalim para Qeverisë dhe të bëjmë të njëjtën gjë, ta shkelim Kushtetutën për herë të dytë. Kjo ka qenë e tmerrshme. Ky ka qenë njëri prej gabimeve politike”, ka thënë ai.
Buja ka kritikuar edhe takimin e Hamzës me partitë e tjera politike lidhur me ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se PDK-ja paraprakisht kishte deklaruar se do të qëndronte në opozitë.
Sipas tij, Hamza duhet të sqarojë arsyet e pjesëmarrjes në këto takime dhe qëndrimin e partisë pas tyre.
Buja ka folur edhe për vendimin që Vlora Çitaku të ushtrojë detyrën e kryetares së PDK-së pas dorëheqjes së Hamzës.
Ai ka vlerësuar se një vendim i tillë nuk është në përputhje me statutin e partisë, duke pretenduar se Kryesia nuk ka kompetencë ta zgjedhë ushtruesin e detyrës së kryetarit.
“Bedri Hamza e dha dorëheqjen para Kryesisë, të cilën e kishte emëruar vetë, pra jashtë çdo rregulle. Bedri Hamza mund ta japë dorëheqjen para Konventës, e cila e ka zgjedhur atë, sepse kështu e parasheh edhe statuti i partisë”, ka thënë Buja.
Duke iu referuar Çitakut, ai ka shtuar se statuti nuk ia njeh Kryesisë të drejtën për të zgjedhur ushtruesin e detyrës së kryetarit.
“Me gjithë respektin për Vlorën, ajo nuk mund ta udhëheqë partinë, sepse Kryesia e partisë në asnjë nen të statutit nuk e ka të drejtën ta zgjedhë ushtruesen e detyrës. Statuti është shumë i qartë se, në mungesë të kryetarit, për çfarëdo arsyeje, partinë e udhëheq njëri nga nënkryetarët, por nuk lë hapësirë që Kryesia ta zgjedhë dikë si ushtrues detyre të kryetarit”, ka deklaruar Buja.






