Hamza për Fatmir Limajn: Jemi bashkë, do jemi më të fuqishëm

- Advertisement -

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 ka folur për raportet me Fatmir Limaj, duke thënë se nuk ka përçarje ani pse Limaj nuk u përfshi në listen e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.

“As kemi humb ne, as Fatmir Limaj. Fatmirin e kam mik për së vërteti dhe më vjen mirë që kushdo që nuk e ka mik si unë. Njiheni me shumë se 23-24 vite dhe nuk kemi pasur asnjëherë luhatje në raportet personale. Jam i bindur se jemi bashkë me Limajn dhe pres që ai ta japë mbështetjen e vet. Është në të drejtën e tij”, tha Hamza.

Ai shtoi se PDK mbetet e hapur për figura të ndryshme dhe përfshirje në proceset e brendshme të partisë.

“Në procesin e ardhshëm zgjedhor brenda PDK-së, që do të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve, Fatmir Limaj është i mirëpritur në radhët e PDK-së, në një proces të brendshëm zgjedhor për të gjitha nivelet – Kuvendin e partisë, Këshillin dhe Kryesinë. Besoj që bashkë do të jemi më të fuqishëm”, u shpreh ai.

Hamza theksoi se marrëdhëniet e tyre kanë mbetur të pandryshuara ndër vite dhe se bashkëpunimi vazhdon.

“Jemi takuar në rrethana të ndryshme. Pas letrës nuk jemi takuar, por letra ka qenë e hapur dhe ka pasur të bëjë me listat e partisë. PDK është e hapur për të gjithë, edhe për njerëz që nuk kanë qenë më herët pjesë e saj, edhe pse disa e kanë më të vështirë përshtatjen. Rasti i Limajt është një rast tjetër”, tha Hamza.

Ai përmendi gjithashtu se disa figura të larta të partisë nuk janë domosdoshmërisht në lista, por mbeten pjesë e strukturës politike.

“Disa figura të nivelit qendror, si Memli Krasniqi, nuk janë domosdoshmërisht në lista, por jemi bashkë në pikëpamje dhe në qeverisje”, deklaroi Hamza.

Të ngjashme

Të fundit